E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Intervista e Ramës tregoi ankth, panik dhe pasiguri”

02-03-2013 / Gazeta 55

Flet Kastriot Islami, ish-deputet i Partisë Socialiste. “Kreu i PS tentoi të spekulojë lidhur me sistemin e taksave - i paaftë për programin. Nuk i kupton shifrat që përdor”

Ish deputeti i Partisë Socialiste, Kastriot Islami e cilëson Edi Ramën, kryetarin e PS, si një politikan të paaftë për të prezantuar programin dhe për të qenë bindës në elektorat. Duke iu referuar intervistës së dhënë dy ditë më parë në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziut në TV Klan, Islami shprehet se shifrat e prezantuara nga Rama për programin, nuk kuptoheshin as nga vetë Rama.
Sipas tij, kreu i PS nuk arriti të jepte përgjigje për çështjen e taksës progresive dhe faktin se bizneset do të paguajnë rreth 230 herë më shumë taksa se aktualisht.
“Po të shohim të gjithë prezantimin që bëri në intervistën me gazetarin Blendi Fevziu, i cili kishte ndërtuar një seri pyetjesh në formën e një loje shahu, z. Rama tregoi një paaftësi, sidomos kur vinte puna për shifra dhe zgjidhje konkrete që duhet të jenë në programin e PS. Vijmë te çështja e takës progresive, e cila është quajtur fillimisht progresive, pastaj taksë e ndershme, por duke taksuar më shumë të pasurit, pastaj e ndryshuan, e ndershme duke taksuar më pak të varfrit, e kështu me radhë. Në shifrat, tabelën dhe grafikun që paraqiti z. Rama, tentoi të spekulonte me publikun duke thënë se taksa e sheshtë i takson më keq tre kategoritë më të rëndësishme të programit të tij, siç janë: policia, mjekësia dhe arsimi. Nëse shohim me kujdes, Rama për fat të keq edhe për shkak të formimit të tij të pamjaftueshëm aritmetik, në skemën që paraqiti kishte një grafik (kurbë) të taksës së sheshtë dhe një tjetër, që i ngjante më tepër një vizatimi të bërë me dorë nga vetë ai. Duhet të dimë se çdo kurbë ka disa pika dhe pas pikave, ka një bazë të dhënash. Baza e të dhënave janë nivelet e pagave dhe tarifat, sepse përndryshe ai grafik nuk mund të ndryshohet. Ngjan e bukur siç e kishte bërë Rama, por ishte pikturuar me stilokalemat që ka. Rama ishte kujdesur që me ngjyrë të kuqe, të ishte
kurba e tij e bukur dhe me ngjyrë blu, të ishte kurba e shëmtuar e taksës së sheshtë. Pa i kuptuar ato që thoshte, u mundua të spekulonte me dy grafikë, njëra prej të cilave është e pamundur të ndërtohet, sepse e pranoi vetë se nuk kishte asnjë shifër se cilat ishin pagat, që do të taksoheshin dhe sa ishte vlera e secilës. Ishte një spekulim për të lëvizur në një terren, ku publiku e ka të vështirë të ndjekë shifrat. Unë kam përshtypjen që z. Rama nuk i kupton vetë ato, ose nuk dëgjon ata që duhet të dëgjojë, sepse në PS ka ekspertë të
mirë. Ai është i prirur të komunikojë me të gjithë ata njerëz, që i thonë atë që
ai dëshiron”, u shpreh Islami.
Ndërsa, e cilësoi si jo real dhe premtimin për punësimin. Lidhur me çështjen e koalicioneve, Islami shprehet se fakti që Rama kërkon aleancë me LSI, tregon se është i pasigurt në fitore. “Edi Rama për fat të mirë e lëpiu atë që kishte thënë ndaj Ilir Metës, por nuk kishte guximin të thoshte asgjë përsa i përket gjithçkaje që ka thënë Meta, në drejtim të tij. Dhe gjithçka që ka thënë Meta në drejtimin e tij, përbën atë lloj krize morale, që kanë marrëdhëniet mes PS dhe LSI”, u shpreh Islami.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›