Rama, takim në Kavajë, në zonën elektorale të Berishës
Kryesocialisti Edi Rama sfidon për herë të dytë rivalin e tij, kryeministrin Sali Berisha. Pas vizitës disa kohë më parë në vendlindjen e Berishës në Tropojë, Rama ka qenë dje në zonën elektorale ku Berisha është zgjedhur deputet, në qytetin e Kavajës. Kreu i PS-së ka zhvilluar një takim me banorët e këtij qyteti, në kuadër të turit të tij paraelektoral me Rrjetin e Vullnetarëve të Partisë Socialiste. Kjo ishte tentativë e dytë e kryesocialistit për të zhvilluar një takim në qytetin ku kryeministri Berisha u zgjodh deputet katër vjet më parë. Por në tentativën e parë Ramës iu mohua e drejta për të zhvilluar takimin me banorët e Kavajës në sallën kulturore të qytetit, pasi Bashkia e Kavajës pretendonte se ditën e takimit ishte planifikuar zhvillimi i një aktiviteti kulturor. Ky veprim i Bashkisë së Kavajës u dënua ashpër nga zyrtarët e Partisë Socialiste, të cilën e cilësuan të turpshëm moslejimin për zhvillimin e takimit.
9 Prill 2009