Shkeljet e bujshme të Statutit të PD-së gjatë katër viteve
Eljona Ballhysa
Gjatë katër viteve në qeverisje demokratët duket se e kanë harruar partinë, duke mos respektuar kushtetutën e saj, Statutin e PD-së. Këtë e pohojnë vetë deputetët demokratë, të cilët shprehin pakënaqësi për mosmbledhjen e strukturave. Ata bëjnë të ditur se ndihen të pavlerësuar në kushtet ku nuk kanë ku të shprehin mendimet e tyre për çështje të caktuara, pasi strukturat janë pothuajse inekzistente, ndërsa mbledhja e Grupit Parlamentar është kthyer në një seancë dëgjimi. Por ajo që i shqetëson më shumë deputetët demokratë është shkelja e premtimit se zgjedhjet për kryetarët e degëve do të bëheshin sipas parimit “një anëtar, një votë”.
Parimi
Kryeministri Berisha premtoi para zgjedhjeve të 2005-s se PD-ja do të jetë partia e parë që do të aplikojë parimin “një anëtar, një votë” për zgjedhjen e drejtuesve të saj. Por ky premtim i kryeministrit Berisha nuk u zbatua gjatë zgjedhjeve të brendshme të PD-së. Madje, me ndryshimet e realizuara në Statutin e PD-së u parashikua që parimi “një anëtar, një votë” të aplikohej për zgjedhjen e kryetarëve të nëndegëve, dhe jo të degëve. “Organet e nëndegës së PD-së zgjidhen në Kuvendin e nëndegës me votën e të gjithë anëtarëve të PD-së sipas parimit ‘një anëtar, një vot뒔, - shkruhet në Statutin e PD-së. Por, sipas burimeve, as kjo pikë nuk është zbatuar. Megjithëse kohët e fundit janë shtuar zërat që kërkojnë aplikimin e këtij parimi të paktën për zgjedhjen e kryetarit të Degës së PD-së së Tiranës, duket qartë se ky parim nuk do të zbatohet. Sipas deputetëve të PD-së, ky parim nuk ka se si të zbatohet në Tiranë, ku numri i kandidatëve për postin e kryetarit të Degës është tejet i lartë dhe aplikimi i këtij parimi mund ta nxjerrë procesin jashtë kontrollit. Aplikimi i këtij parimi do të thotë t’i japësh lirinë e duhur anëtarësisë së PD-së së Tiranës të zgjedhë kryetarin e saj. Por, një proces i tillë mund të sjellë një rezultat të padëshiruar nga lidershipi i partisë dhe në krye të Degës më të madhe të PD-së rrezikon të vendoset një kandidat që nuk ka mbështetjen e duhur nga lidershipi i partisë. Ndaj dhe deputetët e PD-së janë të bindur se një parim i tillë nuk pritet të aplikohet për postin e kryetarit të PD-së së Tiranës.
Strukturat
Deputetët e PD-së shprehin pakënaqësi dhe për mënyrën e zgjedhjes së kryetarëve të degëve në qytetet e tjera të vendit. Sipas tyre, për zgjedhjen e kryetarëve duhej të ishte mbledhur Kryesia qendrore, që të shqyrtonte kandidaturat. Por kjo e fundit nuk është mbledhur duke shkelur në këtë mënyrë Statutin. Në vend të Kryesisë qendrore është mbledhur kryesia e vogël, një organ që nuk figuron në Statut. Kryesia e vogël, e cila përbëhet vetëm nga 5 individë, ka vendosur për të gjithë kryetarët e degëve të PD-së, në mungesë të plotë transparence, bëjnë të ditur vetë deputetët e PD-së. Shqetësues është dhe fakti që Këshilli Kombëtar i Partisë, i cili si rregull duhet të mblidhet dy herë në vit, gjatë katër viteve rezulton të jetë mbledhur shumë rrallë, duke mos plotësuar kushtin e vendosur në statut. Por kështu dhe Kuvendi Kombëtar, i cili si rregull zgjidhet një herë në katër vjet, por mblidhet çdo dy vjet, për herë të fundit është mbledhur në prill të vitit 2005.
Shkeljet
Organet e nëndegës së PD-së zgjidhen në Kuvendin e nëndegës me votën e të gjithë anëtarëve të PD-së sipas parimit “një anëtar, një votë”.
Kryesitë mblidhen të paktën një herë në tre muaj.
Kryesia e vogël, e cila merr të gjitha vendimet në PD, është një strukturë informale që nuk njihet nga Statuti i partisë.
Neni 27
Kryetari i Degës zgjidhet nga mbledhja e përbashkët e kryesive të nëndegëve mes kandidaturave të propozuara nga Kryesia e PDSH-së. Kandidaturat e dala për kryetar të degës i nënshtrohen një diskutimi dhe vlerësimi nga Kryesia qendrore e partisë, e cila formulon përfundimisht propozimet për kandidaturat.
Neni 38
Kuvendi Kombëtar zgjidhet si rregull çdo katër vjet. Ai mblidhet në çdo dy vjet. Vendimin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar e merr Këshilli Kombëtar, me propozimin e kryetarit të Kryesisë qendrore. Data e zhvillimit të Kuvendit dhe rendi i ditës njoftohen të paktën dy muaj përpara ditës së parë të Kuvendit.
Neni 40
Këshilli Kombëtar mblidhet të paktën dy herë në vit dhe debaton sipas një rendi dite të vendosur nga Kryesia e partisë.
9 Prill 2009