E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama takime në Tepelenë

Tepelenë -Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama është ndalur në qytetin e Tepelenës në turin e tij me Vullnetarët e Bashkimit të Ri. Kjo politikë e vjetër nënvizoi Rama që jeton vetëm me dështimet që i shkakton po vetë duhet të marrë fund, pasi ka vonuar rrugën e Shqipërisë drejt mirëqenies dhe zhvillimit. “Ju nuk keni certifikatën e pronësisë mbi tokën që punoni, ata ju thonë se kjo është një gënjeshtër e opozitës. Ju nuk i blini dot fëmijës abetaren, ata ju thonë se jemi në moshën e internetit. Kjo është edhe arsyeja pse zgjedhjet e 28 qershorit nuk janë të miat, por tonat. Këto zgjedhje janë të lidhura me çka ne mund të bëjmë së bashku për të kthyer fletën e historisë, duke e kthyer politikën nga mjet ekskluziv jetese i politikanëve në mjetin e ndryshimit në duart e qytetarëve. Këto zgjedhje janë mundësia dhe mjeti për t’i hapur rrugë shpresave tuaja e ëndrrave të fëmijëve tanë”-theksoi Rama.

Më tej, kreu socialist theksoi se këto zgjedhje janë një udhëkryq mes së shkuarës dhe së ardhmes dhe një shtysë për ti dhënë jetë një bashkimi njerëzish që nuk duan të mbeten peng i lojës së interesave të të njëjtave personazhe e oborre familjare e klanore sa djathtas e majtas.

“Që në 28 qershor të mos fitojnë ata që kanë fituar gjithmonë, edhe kur kanë humbur politikanët, por të fitojnë ata që kanë humbur gjithmonë edhe kur kanë fituar qytetarët, na duhet një bashkim i ri qytetarësh dhe jo një pazar i vjetër kryetarësh”-përfundoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›