E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rasmussen: E vështirë të takosh opozitën, s'është në Parlament

Ndërkombëtarët i njohën zgjedhjet, PS në Kuvend. Rasmussen: Çdo ligj, sipas standardeve të NATO-s

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen, ka një arsye të fortë që nuk mundi të fuste në axhendën e takimeve në Tiranë atë me opozitën e majtë, për faktin se ajo nuk gjendet në Parlament. "Është e vështirë që ta takosh opozitën, kur ajo nuk është në Parlament". Kështu është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen, në një intervistë për "Ora News" për gazetarin Roland Qafoku, lidhur mospërfshirjen në axhendën e tij një takim me kreun e opozitës. Gjithashtu, Rasmussen theksoi se e inkurajon opozitën që të aktivizohet pozitivisht dhe aktivisht në jetën politike të vendit dhe të jetë e pranishme në Parlament. Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmussen, në një mesazh drejtuar qeverisë dhe opozitës, pohoi se duhet të gjendet një mënyrë për tu angazhuar në Parlament dhe theksoi rëndësinë e madhe për konsensusin e gjerë në Parlament dhe në shoqërinë shqiptare si një vend anëtar i NATO-s.

Ai zbriti dje për herë të parë në Tiranë, duke sjellë me vete mesazhin e NATO-s që klasa politike të zgjidhë ngërçin politik dhe opozita të bashkëpunojë në Kuvend mbi baza kushtetuese. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, bëri të qartë se rruga më e mirë është që të gjitha grupet të angazhohen pozitivisht në jetën politike të vendit, përfshirë opozitën në marrjen pjesë të saj në jetën e Parlamentit. Kjo deklaratë e Rasmussenit u bë gjatë një konference për media me Kryeministrin Sali Berisha, me të cilin paraprakisht pati një takim me dyer të mbyllura. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rasmusen, foli për situatën politike në Shqipëri, ndërsa ftoi të gjithë aktorët politikë që të bashkëpunojnë në të mirë të vendit. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, deklaroi gjatë konferencës së përbashkët me Kryeministrin Sali Berisha se çështja e zgjedhjeve mund të quhet e mbyllur për ndërkombëtarët. I pyetur në lidhje me bojkotin e opozitës, Rasmussen theksoi se komuniteti ndërkombëtar e ka njohur mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet.

Duke u ndalur në bojkotin e opozitës, shefi i NATO-s theksoi se Partia Socialiste duhet të angazhohet në mënyrë pozitive në zhvillimet e vendit. Nga përvoja ime e gjatë si anëtar i Parlamentit mendoj se është mirë që të gjitha grupet politike të angazhohen, duke përfshirë dhe opozitën në punimet e Kuvendit. Këtë konsideroj angazhim pozitiv, - tha Rasmussen. Sipas Rasmussenit, ndërkombëtarët i kanë njohur zgjedhjet në Shqipëri dhe se opozita duhet të bashkëpunojë politikisht në Parlament. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha siguroi Sekretarin e Përgjithshëm të NATO se e vlerëson jashtë mase rolin e opozitës në Parlament dhe se garanton plotësimin e çdo kërkese të opozitës, gjithmonë bazuar në Kushtetutë. Sipas Berishës, opozita është e mirëpritur në Parlament dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë dhe të gjithanshëm për të vijuar reformat. Opozita është e shumëmirëpritur në Parlament. Mbetem disponibël dhe i vendosur të pranoj plotësisht çdo kërkesë për transparencë të opozitës me kushtin e vetëm, që të ndjekë rrjedhën e ligjeve dhe Kushtetutës. Më duhet të theksoj se në Shqipëri nuk ka qoftë dhe një dokument të vetëm për të cilin nuk ekzistojnë procedura ligjore për deklasifikim dhe transparencë, - tha Berisha. Ai vuri në dukje se qeveria ka një rol të rëndësishëm në realizimin e reformave. Unë pranoj çdo kërkesë për transparencë të zgjedhjeve, të cilat janë vlerësuar si më të mirat nga ndërkombëtarët dhe për të cilat nuk ka asnjë fakt për manipulim. Por çdo kërkesë duhet të bëhet në rrjedhën e ligjeve dhe Kushtetutës së vendit", - u shpreh Berisha. I pyetur për telefonatën që kreu i NATO-s i bëri pak kohë më parë Kryeministrit Berisha lidhur me ligjin për SHISH-in, Rasmussen nuk pranoi të komentonte çështje të shërbimit sekret. Në këtë rast ai sugjeroi edhe një herë që të gjitha nismat ligjore në Shqipëri të ndërmerren në përputhje me kërkesat e NATO-s. "Kam besim se qeveria shqiptare do të sigurojë që i gjithë legjislacioni shqiptar të jetë në përputhje me rregullat e NATO-s", - u shpreh Rasmussen. Në takimin e përbashkët në selinë e qeverisë, Berisha dhe Rasmussen folën edhe për mbrojtjen raketore, ndërkohë që Shqipëria i përgjigjet pozitivisht kërkesës së strukturës së Atlantikut të Veriut për të shtuar praninë e saj në Afganistan. Ndërsa Kryeministri Sali Berisha shprehu gatishmërinë e Tiranës zyrtare për të vënë në dispozicion të aleancës, në rast kërkese, edhe territorin shqiptar për instalimin e sistemit antiraketë. "Shqipëria është e gatshme ti japë përgjigje pozitive çdo kërkese të Aleancës së Atlantikut të Veriut që ajo e gjykon të nevojshme apo të domosdoshme për paqen, sigurinë apo stabilitetin", - theksoi z. Berisha. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›