E Diel, 1 Nëntor 2026

Haradinaj: Korrupsioni nis nga shefi i Qeverisë, e them nga përvoja

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Qeveria Thaçi e ka kthyer vendin në një gjendje të rëndë, në momente të vështira, jo vetëm të qeverisjes, por edhe të jetës, për shkak të involvimit në korrupsion.

Këto komente, Haradinaj i bëri të premten gjatë një konference për media me ç’rast ka mbështetur veprimet e EULEX-it për bastisjen e MTPT-së dhe pronave të ministrit Fatmir Limaj, por ka thënë se korrupsioni do të duhej ndalur nga vetë institucionet vendore.

Ndonëse ka shprehur mbështetjen për veprimet e EULEX-it, Haradinaj ka thënë se nuk është në të mirën e vendit që fenomenet negative t’i ndalë dikush tjetër.

“Nuk është në të mirën e vendit, në rast se këto punë të këqija duhet të na i ndalë dikush. Unë kam bërë thirrje që të ndalen vetë njerëzit, edhe sot u bëj thirrje ndaluni nga këto praktika në korrupsion, ndaluni sa më shpejt të gjithë dhe njëkohësisht u bëjmë thirrje mekanizmave të gjyqësorit, të hetuesisë që të bëjnë punën e tyre. I përkrahim këto veprime të hetimit të korrupsionit, të krimit të caktuar dhe e vlerësojmë se janë në të mirën e vendit. Përkundrazi do të kishte qenë më mirë që këto të ishin ndalë nga ne, nga institucionet e vendit, nga mekanizmat e vendorë”, ka thënë Haradinaj.

Kryetari i AAK-së, i cili në vitin 2004 ishte 100 ditë kryeministër, ka thënë se janë shefat ata që janë shkaktarët më të mëdhenj të korrupsionit.

“Mendoj se shefat e institucioneve janë shkaktarë të korrupsionit. E kam thënë disa herë edhe nga përvoja. Jeni në dijeni, unë kam udhëheq me Qeverinë e vendit 100 ditë, po korrupsioni niset nga shefi i Qeverisë. Këtë po e them se nuk do mund të jetë situata e tillë pa involvimin e shefit të qeverisë, por edhe shefat tjerë të institucioneve”, ka thënë ai.

I pyetur nëse duhet të japë dorëheqje ministri Limaj pas zhvillimeve të fundit, Haradinaj ka thënë se nuk bëhet më fjalë për dorëheqje, ngase sipas tij, te Qeveria Thaçi më nuk ka norma morale.

Drejtuesit e AAK-së kanë vlerësuar se pamjet e fundit të bastisjes nuk janë pamje e mirë as për botën, as për vendin, kur dikush tjetër detyrohet që t’i adresojë çështjet e tilla, në vend që këtë ta bënin institucionet e vendit, përgjegjësi e të cilave është një gjë e tillë. /kosovapress/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›