E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama therret opozitaret pas 8 Majit nuk i paraqiten te gjithe aleatet

Në takimin e parë pas zgjedhjeve të 8 Majit, të thirrur nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nuk ishin të gjithë aleatët opozitarë.

Mungoi kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule.

Ai është i vetmi nga aleatët opozitarë që përfaqësohet në parlament.

Në zgjedhjet e 8 Majit, Vangjel Dule, humbi bashkinë më të madhe që qeverisej nga partia e tij, bashkinë e Himarës.

Fitues rezultoi pikërisht kandidati socialist, Gjergj Goro.

Mungoi edhe Skënder Gjinushi, kryetari i socialdemokratëve që në deklaratat e tij më të fundit, ka folur me tone përçmuese për Kursin e Ri që do të nisë Edi Rama.

Ndërkaq, në takim mungonte edhe Spartak Ngjela, kreu i partisë për Ligj dhe Drejtësi, megjithëse ai përfaqësohej nga Preç Zogaj.

Bie në sy edhe mungesa e kreut të G99, Ervin Mete, edhe për shkak se paraardhësi i tij Erion Veliaj nuk mungonte asnjëherë në tryeza të tilla.

Kryesocialisti Edi Rama nuk preferoi të hynte nga hyrja kryesore, nga ku erdhën edhe Nard Ndoka i PDK-së, Petro Koci i PSV91 dhe Paskal Milo i PDS-së.

Në dalje, opozitarët nuk kanë preferuar të bëjnë publike temat e diskutimit.

Mësohet se të shoqëruar edhe nga Preç Zogaj, opozitarët e majtë kanë ngrënë së bashku një drekë në ambientet e dy kullave.

Aleatët e Edi Ramës në vijimësi kanë qenë të ashpër me kryetarin e Partisë Socialiste, duke thënë se ai i konsideron ata si garniturë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›