E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama thirrje kryeprokurores te zbardhe ngjarjen

Kryetari i partisë socialiste Edi Rama ka shtuar tonet e akuzës ndaj kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të brendshëm, Lulëzim Basha, duke i cilësuar ata si pergjegjësit kryesorë të dhunës gjatë protestës së ditës së premte ku humben jetën 3 persona ndërsa dhjetra të tjerë u plagosën. Në daljen e radhës përpara mediave në orët e para të së shtunës, Rama ka kërkuar vënien përpara drejtësisë së ministrit Basha.

"Ku je Sali? Po Lulin që na përsëriti dje me herë forcën e ligjit, por që tani pas atyre pamjeve nuk është asgjë tjetër vecse një ministër në rikërkim. Dorëzoja Lulin prokurorisë tani, pa u gdhirë e mos rishkruaj fjalën kërcënuese të rradhës për një opozitë që ti sot mjaft e gjakose me plumba dhe e përdhose me jashtëqitjen e gojës sate të përdalë e me gojët e lidhura pas gurmazit tënd të të gjithë atyre që bëjnë ison e vështirë të pushtetit të vjedhur, për të vjedhur e për të vrarë Shqipërinë", tha Edi Rama, kryetar PS.

Kryesocialisti i ka bërë thirrje prokurores së përgjithshme Ina Rama si dhe ndërkombëtarëve të nisë hetimet për të zbardhur ngjarjen e së premtes.

"Zonja Prokurore e Përgjithshme unë e akuzoj Sali Berishën si orkestruesin politik të kësaj kasaphane po tani pas provave, fakteve dhe grup fakteve që sapo pamë po dhe që disponojmë nga kjo ditë tragjike, unë akuzoj Lulëzim Bashën si njeriun që duhet të përgjigjet përpara ligjit për shpërdorim detyre me pasojë vrasjen e tre njerëzve dhe ju kërkoj ta ndaloni menjëherë sot, tani. Ku jeni miq dhe partnerë ndërkombëtarë të shqiptarëve, ju që na joshët me një ëndërr magjike drejt Shqipërisë si Europa, ju që na mësuat në librat e ndaluar të regjimit të Enverit dhe Saliut se cjanë liritë dhe të drejtat e njeriut, ju që demostruesit tuaj nuk i qëlloni me plumba as kur hyjnë në Parlament", tha Rama. Në fund të fjalës së tij Rama e ka cilësuar si një qeveri kusarësh kabinetin e drejtuar nga kryeministri Sali Berisha.

Me heret, menjëherë pas reagimit të parë të kryeministrit Sali Berisha, lideri i opozitës ka bërë daljen e tij të radhës, ku ka njoftuar se dita e sotme do të jetë një ditë zie për opozitën, në kujtim të tre të vdekurve. Duke fajësuar sërish qeverinë për vdekjen e tre personave, Rama u shpreh se nuk ka ndërmend të kthejë vitin 1997, por të dielën do të vihet në krye të demonstratës së re opozitare për largimin e qeverisë.

Ndërsa pasi ka vizituar të lënduarit në Spitalin Ushtarak, kryesocialisti Edi Rama, deklaroi se “Shqipëria është marrë peng nga një qeveri kusarësh”.  Megjithë dhunën e përshkallëzuar, lideri i opozitës deklaroi gjatë daljeve të tij publike gjatë pasdites, se populli nuk do të zbrapset më asnjë milimetër deri në gjetjen e një zgjidhjeje. Shteti - sipas tij - kaloi kufijtë e ligjit duke keqpërdorur policinë kundër protestuesve që mbanin vetëm pankarta në duar.

"Opozita nesër e ka ditë zie, Shqipëria që nuk jeton në oborrin e kusarëce dhe matrapazëve të pushtetit të vjedhur nesër e ka ditë zie. Por pasi të nderojmë të vrarët në një demostratë për lirinë dhe drejtësinë e siguroj Saliun se do na ketë përballë me gjithë përgjegjësinë historike dhe qytetare që i imponon largimin e kësaj qeverie. Unë dhunën e kam njohur në trupin tim falë dorës gangstere të Saliut në vitin e mbrapsht, '97, por nuk e kam as në gjak, as në mendje, dhe as në ëndrrën time për të jetuar në Shqipërinë europiane, të cilën bashkë me të tjerët do të jem në krye të demonstratave që do të rifillojnë pas ditës së zisë dhe përuljes para jetëve të pafajshme që humbën prej plumbash të shkrepur nga dora e pushtetit, dhe do i tregojmë Saliut dhe kujtdo tjetër, se pa dhunë, po me zemrën e trupin e vet, njeriu mund të mposhtë dhe pushtetin më barbar e jo më një qeveri të marr fund, kusarësh e matrapazësh si këta", deklaroi mbrëmjen e të premtes kryesocialisti Edi Rama.

Elona Gjylmi/ Nertan Prifti Azhornuar së fundi ( e shtunë , 22 janar 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›