E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrezikohen kandidatët e 2 bashkive dhe 6 komunave

05/04/2011  Nuk u paraqitën më 28 mars, KZAZ e Fierit nuk pranon t’i regjistrojë

Opozita pretendon se janë paraqitur 20 minuta para përfundimit të afatit

Refuzimi për të regjistruar kandidatët e koalicionit të majtë në Bashkinë e Patosit dhe gjashtë komunave të tjera nga KZAZ-ja numër 19 Fier, ka bërë që të lindin debate mes kryetarit të KQZ dhe përfaqësuesit të PS-së në këtë institucion, Genc Gjonçaj. Në mbledhjen e djeshme, ku ishte i pranishëm dhe kryetar i KZAZ-së Viktor Mesutaj, PS-ja kërkoi shfuqizimin e këtyre vendimeve të marra me datë 29.03.2011, nga anëtarët e kësaj KZAZ-je të Qarkut të Fierit, si të pabazuara dhe në shkelje të plotë me ligjin. Kryetari Viktor Mesutaj theksoi se lista e dokumentacionit është dorëzuar më 29 mars, e jo më 28, kur ishte afati i fundit i dorëzimit të tyre dhe si pasojë KZAZ që ai drejton nuk ka kryer veprimet për të regjistruar kandidatët dhe këshilltarët për 2 bashki dhe 6 komuna. Në pretendimet e saj opozita shprehet se lista është dorëzuar brenda afatit, rreth 20 minuta para skadimit të tij. “Përfaqësuesit e koalicionit “Aleanca për të ardhmen” dhe të partive të koalicionit, si dhe kandidatëve për kryetarë janë paraqitur në KZAZ në datën 28.03.2011, rreth orës 23.40, për të depozituar dokumentacionin për regjistrimin e kandidatëve të tyre. Dhe në momentin e paraqitjes asnjë nga anëtarët dhe sekretari nuk ka qenë prezent në zyrat e KZAZ-së dhe dera ka qenë e mbyllur”, bënë me dije përfaqësuesit e PS-së. Por nga ana e tij, kreu i KQZ, Arben Ristani, duke iu referuar dhe veprimeve të opozitës të shtrira në kohë, theksoi se “shkelësi i ligjit nuk mund të përfitojë nga shkelja e ligjit. Dhe për sa kohë që ju jeni në çdo shkelje të ligjit, s’mund të vini këtu e të kërkoni benifite”. Por ka vazhduar të këmbëngulë në argumentet e tij përfaqësuesi i PS-së, Gjonçaj, i cili u shpreh se më 28 mars KZAZ-të kanë vepruar në mënyrë të njëanshme. “Më 28 mars KZAZ-të kanë funksionuar në mënyrë të njëanshme dhe kjo do të thotë që procesi zgjedhor tashmë është në rrezik pikërisht nga kjo njëanshmëri politike e përfaqësuesve të anëtarëve dhe sekretarëve në këto komisione.” Dhe për këtë vendim ai i kërkoi kreut të KZAZ-së numër 19 që të paraqiste procesverbalin me shkrim, ku raportohej i gjithë aktiviteti i këtij komisioni gjatë asaj dite. Por nga ana e tij, kryetari Viktor Mesutaj theksoi se raportimin e ka shkruar më 29 mars, duke qenë se puna e komisionit ishte mbyllur në orët e para të asaj dite. Dhe ajo “nuk ishte në ditë normale pune, por ishte afati i fundit i regjistrimit të kandidatëve”, tha Mesutaj.

Vendimi

Nga vendimi që ka marrë KZAZ 19 e Fierit, mbeten jashtë emrat e kandidatëve për dy bashki dhe gjashtë komuna të opozitës. Kësaj i shtohet dhe lista me emrat e këshilltarëve të koalicionit të majtë. Ndërkohë vendimi përfundimtar pritet të merret ditën e sotme në mbledhjen e radhës së KQZ-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›