Çdo bashkëpunim është i mistershëm
Më i mundshëm, dhe jo më pak i mrekullueshëm ndër këto hamendësime të llojit mbinatyror, është supozimi i një rastisje fatlume. Retë përfigurojnë ndonjëherë trajta malesh dhe luanësh; në mënyrë analoge trishtimi i Edward Fitzgerald-it dhe një dorëshkrim me germa të purpurta mbi letër të verdhë, i harruar në një raft të Bodleiane-s së Oxford-it, përfigurojnë, për të mirën tonë, poemën. Çdo bashkëpunim është i mistershëm.
Jorge Luis BORGES
Një njeri, Omar ben Ibrahim, lindet në Persi në shekullin e XI të erës kristiane (ai shekull për të ishte i pesti i Hixhrit) dhe mëson Kuranin e traditat me Hassan ben Sabbàh, themeluesin e ardhshëm të sektit të Hashishin-ve ose të vrasësve, si dhe me Naizam ul-Mulk, i cili ka me qenë vezir i Alp Arzbàn, pushtues i Kaukazit.
Tre miqtë, pak për hoka e pak seriozisht, betohen se në rast se fati, një ditë, do të favorizojë njërin prej tyre, fatqeshuri s’do t’i harrojë të tjerët.
Prej kësaj ngjarje kalojnë shumë vjet. Nizami-i nderohet me vezirllëk: Omar i lyp veç një qoshk në hijen e lavdisë së tij për m’u lutë për begatimin e mikut dhe me meditue mbi matematikat. (Hassan-i i lyp dhe i jepet një ofiq i lartë dhe, për fund, fut dorasë që e therin vezirin.)
Omar përfton prej thesarit të Nishapurit një pension vjetor prej dhjetëmijë dinarësh dhe arrin t’i kushtohet plotësisht studimit. Nuk beson tek astrologjia gjygjësore, por kultivon astronominë, bashkëpunon për reformimin e kalendarit të nxitur nga sulltani dhe harton një traktat të famshëm algjebre, që jep zgjidhje numerike për ekuacionet e shkallës së parë e të dytë, dhe gjeometrike, nëpërmjet brendaprerjeve konike, për ata të së tretës. Të fshehtat e numrit dhe të yjeve nuk e përterin vemendjen e tij; në vetminë e bibliotekës së vet, lexon tekstet e Plotinit, që në fjalorin e Islamit është Platoni Egjiptas ose Mjeshtri Grek, dhe të pesëdhjetë e shkue letrat e heretikes dhe mistikes Enciklopedia e Vëllezërve të Pastërtisë, ku thuhet se universi është një rrjedhje (çlirim) e Njësisë, e do të kthehet te Njësija... Thonë se qe i orientuar kah Alfarabët, të cilët besonin se format universale nuk ekzistojnë jashtë gjanave dhe kah Avicena, që mësoi se bota është e përjetshme. Një kronikë na referon se beson, o luan me besue, në shpërmigrimin e shpirtit prej trupit njerëzor në trup shtaze dhe njëherë foli me një gomar, sikundër Pitagora pat folë me një qen.
* * *
Është ateist, por di me interpretue në mënyrë ortodokse pasazhet më të zorshme të Kuranit, sepse çdo njeri i dijshëm është teolog, dhe për me qenë i tillë nuk është i domosdoshëm besimi. Në pushimet mes astronomisë, algjebrës dhe të epologjetikës, Omar ben Ibrahim al Kayyam përpunon hartesa prej katër vargjesh, nga të cilat i pari, i dyti dhe i fundit rimojnë mes tyre; dorëshkrimi më i qenësishëm bashkon pesëqind nga këto kuartina, prejse në Persi (sikurse në Spanjën e Lope e të Calderón) poeti duhet me qenë prodhimtar.
Në vjetin 517 të Hixhrit, Omar po lexon një traktat që titullohet Njëshi dhe të Shumtët; një shqetësim shëndetsor dhe një parandjenjë e bëjnë me e ndërpre.
Çohet, shenjon faqen që sytë e tij s’ do shohin më dhe ribashkohet me Zotin, me atë Zot që ndoshta ekzistuakësh dhe ndihmën e të cilit ai ka lutur gjatë faqeve të zorshme të algjebrës së tij. Vdes po atë ditë, në kohën e perëndimit të diellit.
Në ato vite, në një ishull perëndimor boreal që hartashkruesit e Islamit nuk e njohin, një mbret sakson që ka mposhtë një mbret norvegjez, mposhtet prej një duke norman.
Kalojnë shtatë shekuj, me dritat dhe agonitë dhe ndryshimet e tyre, dhe në Angli lindet një njeri, Fitzgerald, më pak intelektual se Omar, por ndoshta më i ndjeshëm e melankolik.
Fitzgerald e di se fati i tij i vërtetë është letërsia, prandej e provon me moskokëçarje e ngulm.
Lexon e rilexon Chisciotte, i cili gati i duket si më i miri i të gjitha librave (por s’do me qenë i padrejtë me Shakespeare-in dhe me dear old Virgil), dhe dashuria e tij shtrihet deri te fjalori ku ai kërkon fjalët.
* * *
Beson se çdo njeri në shpirtin e të cilit buen ndonjifarë muzike, mundet me vjershënue dhjetë a dymbëdhjetë herë gjatë rrjedhjes natyrore të jetës së tij, po i pati yjet mbarë, por nuk ia propozon vetes abuzimin me këtë privilegj të kufizuem. Është mik me persona të shquem (Tennyson, Carlyle, Dickens, Thackeray), ndaj të cilëve nuk ndihet inferior, pavarësisht modestisë dhe përzemërsisë së tij.
Ka botue një dialog të shkruar gjithë stolì, Euphanor, dhe vargje mediokre të Calderón dhe të tragjikëve të mëdhenj grekë. Prej studimit të spanjishtes ka kalue te studimi i persishtes dhe ka fillue një përkthim të Mantiq al-Tayr, epopesë mistike të zogjve që kërkuan mbretin e tyre, Simurg-un, dhe në fund mbërritën te pallati i tij, që ish mbas shtatë detesh, dhe zbulojnë se Simurg-u i tyre janë ata vetë dhe se Simurg-u është të gjithë bashkë dhe secili veç e veç.
Përreth 1854 i paraqesin një përmbledhje në dorëshkrim të hartesave të Omarit, bërë pa normë tjetër përpos asaj të rendit alfabetik të rimave; Fitzgerald përkthen disa në latinisht dhe sheh mundësinë me thurë me to një libër organik e të vijueshëm, te fillimi i të cilit të rrijnë imazhet e mëngjezit, të trëndafilit dhe të bilbilit, dhe në fund, ata të natës dhe të varrosjes. Këtij qëllimi pak të ngjarë e mezi të besueshëm, Fitzgerald ia kushton jetën e tij prej njeriu dembel, vetmitar dhe manjak. Në 1859 boton një version të parë të Rubayat, të cilat ndiqen prej të tjerash plot ndryshime dhe skrupuj.
Një mrekulli ndodh: prej pjekjes rastësore të një astronomi persian, që e desh mirë edhe poezinë, dhe të një anglezi ekcentrik që kalon nëpër duar, ndoshta pa i kuptuar plotësisht, libra orientalë dhe hispanikë, lind një poet i jashtëzakonshëm, që nuk i ngjet asnjërit prej të dyve. Swinbourne shkruan se Fitzgerald “i ka dhanë Omar Khayyam-it një vend të paluejtshëm ndër poetët më të mëdhenj të Anglisë,” dhe Chesterton, i ndjeshëm ndaj tërheqjes romantike dhe klasike të atij libri pa të dytë, vëzhgon se ka te ky, njëherësh, “një melodi që ikën prej një epigrafi që mbet.” Disa kritikë mbështesin mendimin se Omar-i i Fitzgerald është në të vërtetë një poemë angleze me aluzione persiane; Fitzgerald shtjeu duart duke shtuar, holluar e duke bërë shpikje, por Rubayat është e dukshme se na kërkojnë që me i lexue si persiane dhe antike.
Rasti në fjalë na grish të bëjmë hamendësime metafizike.
Omari shpalli (siç e dimë) doktrinën platonike dhe pitagorike të kalimit të shpirtit nëpër shumë trupa; shekuj më vonë, shpirti i tij ndoshta u rimishërua në Angli për me përmbushë në një idiomë të largët gjermanike me gjurmë latinishtje atë fat letrar që në Nishapur e patën shtypë matematikat.
saac Luria Luani mësoi se shpirti i një të vdekuri mund të hyjë te një shpirt fatkeq për ta mbështetur e udhëzuar; kushedi shpirti i Omarit gjet strehë, kah 1857-a, në atë të Fitzgerald-it.
* * *
Në Rubayat lexojmë se historia e përbotshme është një spektakël që Zoti koncepton, shfaq dhe sodit; ky spekullim (emri teknik i të cilit është panteizëm) mund të na shtyjë me besue se anglezi mbërriti me e rikrijue persianin, prejse të dy së bashku qenë, thelbësisht, Zoti a fytyra çastësore të Zotit.
Më i mundshëm, dhe jo më pak i mrekullueshëm ndër këto hamendësime të llojit mbinatyror, është supozimi i një rastisje fatlume. Retë përfigurojnë ndonjëherë trajta malesh dhe luanësh; në mënyrë analoge trishtimi i Edward Fitzgerald-it dhe një dorëshkrim me germa të purpurta mbi letër të verdhë, i harruar në një raft të Bodleiane-s së Oxford-it, përfigurojnë, për të mirën tonë, poemën.
Çdo bashkëpunim është i mistershëm.
Ky i anglezit me persianin qe i tillë mbi cilindo tjetër, sepse këta të dy ishin shumë të ndryshëm e ndoshta nuk do të kishin lidhë miqësi dhe vdekja, lojrat e fatit dhe koha, bënë që njëri të të vihej në dijeni për tjetrin dhe të ishin një poet i vetëm.
Përktheu Astrit Cani
1 Shkurt 2009