Atdheu është fjalë intime
Indrit SINANAJ
Atdheu është fjalë intime
Atdheu është grumbuj dhe kujtime
përbëra njerëzishëm nga sende e aroma
ësht’ emri me shkronja shtypi te dera, nën zile.
Atdhe është fjalë intime
që ilustron larg e larg dëshirën për mbiemër
për sua e farë, e fëmijë, shumë fëmijë,
familje,
Atdhe do të thotë shpërfillje
për kujtesën afatshkurtër të seksit kryer
ditën,
në këmbë,
Atdhe ësht’ dora e nënës
mbi varrin e gjyshes sime.
Dora mbillte mana, shegë e përralla.
Ish grua e bukur gjyshja, e donin burrat.
Kështu, ma dha babën, lexo: AtDheun.
Një mëngjes,
hapa hartën si gazetën
në faqen e fundit për të parë fatin.
U përhap i gjithi si njollë në të
u hapën linjat e turbullta të kufijve si geto
grash dhe mendova
sa mirë është kur nuk je vetëm,
sa mirë është kur ke Atdhe.
Atdhe prej vërteti siç e ka gjithë bota
rreshta kufijsh, flamujsh e stemash.
T’u kthesh kujtimeve emra
e t’u japësh kuptimeve vend në tru
me gulçimin lokal të bonjakëve
(fjala bie: njerëz)
të mbledhur rreth Flamurit,
më saktë,
hushtës
si veshkat rreth shtyllës
e të tjerë q’i mësojnë t’i vënë numrin
bluzës
a fanellës në ngjyrën e legjendës
me yje vezullues, pa kllapa pa thonjza
e portierë policorë që ndrijnë kufinë.
Që ta dinë,
shteti im i varfër rrethohet me Greqinë
Maqedoninë,
në kohë të lirë me veten e tij.
Këtu (përkthejmë një shigjetë në cep të hartës)
është Atdheu im, i atit, i dheut.
Në hartën memece ka ngjyra shtetesh:
Racizëm i përmbajtur
pa fasada pushtetesh.
Atdhenë e dallon nga tjerët veç ngjyra.
Ngjyra e negrit, e djersës, me tollona dhjami
e atij që punon tokën e huaj me parmendë
kangjellash e direkësh nga ku varen shpresat
si shpezët e nëntëdhjetë e shtatës
e njerëzit,
njerëzit ulërijnë si detaje nga telajo e hartës
ulërin Atdheu i kujtimeve
nga dhomat e ftohta të paraburgimeve
nga fry’marrjet e ankthit të solistëve, rrethimeve
të rrugëve të pista të ngushta me plagë.
Unë kam Atdhe kujtimet,
ku rrek të fus vetvetet si në ndonjë shportë
në hartën memece.
Atdheu im pafajshëm i kuq, si Kësulkuqe
të cilin e udhëtoj pa dëshirë drejt ujkut a gjyshes
nën gji përmbi xhaketë,
si Bibël bullet-proof.
Atdheu është kopja e karbonit për bukën.
Korja e saj në dorë, bërë me marmaladë sh’pie.
Është vargu i gjatë i korbave në tel
i hidhur si ata dhe i zi, duke pritur vizë për përtej.
Dyer automatike është Atdheu
kujtime stinore që i hapin kahjet e kraharorit
në anë të kundërta, dhe dhembin
dhembin pa zhurmë, vetëm vaj vaj vaj
i hidhur si benzinë dhe avuj,
kujtime që të lidhin me këtë tokë të panjohur
është pikërisht ai, Atdheu.
Atdheu i rruazave të kuqe si tabela ndalim
parkimi
parullash të mpiksura – trombozë shtetit!
Atdheu është grumbuj dhe kujtime
përbëra njerëzishëm nga sende e aroma
ësht’ emri me shkronja shtypi te dera, nën zile.
Atdhe është fjalë intime.
Një natë prilli me shi në Durrës
Një natë prilli me shi në Durrës
unë hapa derën e çudisë
gjerë e gjatë, e gjeta mbi shtratin e shtrirë,
çarçafët e larë, çorapet e rëna me përtesë
vetminë spirale të Dhurata H-së,
me flokë të zinj centrifugalë, mbi nënkresë,
dy shalë përmbi shalët me rrotullame cung
i gjeta përsipër batanijes, si dy fije të rëna floku
e pupla publike, aty poshtë tyre, rrethonin diç
plagën e çelur, intime, të rinisë së pjekur herët.
Vetmia spirale e Dhurata H-së
në protokollin hotelerik
qe trishtim kadaverik
në atë natë prilli me shumë pak Durrës dhe
shumë pak prill.
Në katin e dytë ndodhej gjeografikisht, pra, Dhurata,
mbi Gobin e rojës q’e gdhin në kat të parë
(Në lidhje me vizatimet e tij, me zogj dhe lule
ndodhej vertikalisht)
Por nën shalët grafike – paktin artistik të Dh.H-së
me botën –
luhej Dhuratë-ria
Dhuratë-naja luhej sipër,
madje, frynte nëpër dhomë me furi dhe heshtje,
mërzi dhe vetmi spirale
që thithte lopë e gjethe triumfale
dhe gjëra më të thjeshta: qyngje, sqeparë
autokombajna patriotiksash, shiksash, vipash,
gozhda, varé, hanxharë, hamej e sharrë.
Në darën e shalëve mbante fort çengelin
kosovar.
Patriotik
Idilik.
Dhurata ish grua e ndarë
Nga burri dhe fëmijën e mbante ai.
Punonte në s’kish se ku rëndësi.
“Dy këmbë të gjata si kujtim
të të kujtoj pranverën e atdheut tim.”
Ja kështu ish Dhurata për mua:
Citat poeti.
Hutim redaksional i faqeve të fundit
diçka mes horoskopit dhe lajmeve për motin.
Që ta vërtetoja Dhuratën do të duhej
besim.
Më kaplon trishtimi frigoriferik
i llojit tim,
e kjo ndjenjë si çdo balbëzitje (fjalë e qëllimtë)
kalon prej përmes fytit, gojës së rojës dhe
rojës auto-kulturor
si pështyma përmes telefonit gojor
q’është sot (fjalën për fjalë)
helmi i mbramë
i vetmi që nuk na hedh poshtë
i vetmi që lart na mban
s’di ta them si më ngjajti ajo vete imja e vogël
në dyert e ndrojës që rri e prêt të heshtë:
-Pasqyrim i nënvleftësuar.
-Vajza e Dhurata H-së. Vjeç tre.
S’ka përgjigje pse lodhem kaq shumë
Gdhin me zë agimi, shpëtimi i orës 3,
që çliron veshët,
nga përgjegjësia e vet-dëgjimit.
Trupi i nënës sime
Trupi i nënës sime është fermë zogjsh
me sqepa shtatzanë që sjellin fëmijë.
Mungonte im atë aty
kur trupi i saj mblidhej tokës
si çorape të hedhura për t’u larë.
Unë ende në mendje kam
atë rrugicë me rombe
me gjak vëllai a motre.
Trupin e imët si çorape të zbrazura najloni.
Flokët e tu që ngelën me grushta në dorë.
Tirrja revoltën e ndarjes prej teje me ato fije
Isha vetëm e mëngjes, kur s’mundesh të thuash
se një bijë, si çdo adresë, nuk gënjen
kur doja të kisha lindur prej trupit tënd
me ndarje,
si hidër.
Por trupi yt na dha paqen.
Si festë na mblodhi të gjithëve.
Ti më pyet
Përsa i përket letrës ku ti më pyet
a jam mirë dhe si më shkojnë punët,
ku ti më shtjell gjerë e gjatë ca shpallje
si vena të trasha blu, mbi paaftësinë tënde
të lindur t’i shpëtosh rëndesës e të tjera
si këto, një “Për-t’u-bërë!” në kalendarin
e burrërisë sate, si të thuash, qesharake
shënuar me të kuqen kopjative
të pritshme të rëndësisë:
“A do ta konsideroje mundësinë të më
harroje plotësisht?” më pyet mu aty.
Ndjenja ime foshnjarake për ty po
piqet dhe unë jam kaq e pafuqishme
ta ndaloj këtë lemeri.
Ti më zhbën. Dhe më pyet
a jam mirë dhe si më shkojnë punët
në letrën ku tamam
këto, dhe ca të tjera pate kurajo
prej vrasësi të m’i dërgoje.
Lexoja me ca sy rrotullues porcelani
kinez. Nuk jam krejt e sigurt
nëse të urrej plotësisht apo vetëm
një pjesë të vogël.
Mjek i ëmbël i dhimbjes sime,
vishe këtë që jemi me smaltin e poetikës.
Bir i detajuar i nevojës për ty.
Në letrat e tua
rroj barbarisht.
3 Shkurt 2009