E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta kritikon OSBE-në, kërkon asistencë të kompanive të huaja për zgjedhjet

Në kushtet e humbjes së anëtarit të KQZ-së e si rezultat edhe të përfaqësimit në strukturat e administrimit të zgjedhjeve, LSI-ja ripozicionon qëndrimin e saj kundrejt vëzhguesve të huaj të organizmave si OSBE-ODIHR. Kryetari i kësaj partie, Ilir Meta, bëri të ditur dje se muajin janar pritet konkludimi i marrëveshjeve me dy kompani të huaja, evropiane dhe amerikane, të cilat do të sjellin në Shqipëri më shumë vëzhgues ndërkombëtarë sesa do të sjellë OSBE-ODIHR-i për procesin zgjedhor të 2009-ës. “Mund t’ju them se nga bisedimet e deritanishme dhe nga gjithë angazhimi ynë i deritanishëm ndërkombëtar, ne do të sjellim në Shqipëri shumë më tepër vëzhgues sesa OSBE-ODIHR-i, pra vëzhgues ndërkombëtarë”, - tha Meta. Njëkohësisht, ai bëri të ditur se që në muajin janar ekipe të specializuara do të vendosen në Shqipëri dhe do të ketë tri qendra shumë të rëndësishme që do të bashkërendojnë me njëra-tjetrën për të paralizuar skemat manipuluese të votës, siç i quajti ai. Duke qëndruar në të njëjtën linjë me qëndrimet e tij të fundit ndaj OSBE-së, kreu i LSI-së vërejti se partia e tij, por edhe faktorë të tjerë politikë që nuk besojnë të PD-ja e PS-ja, janë të detyruar të marrin përsipër angazhime të tilla, për shkak të qëndrimit të OSBE-së, e cila sipas tij, “nuk është dot në gjendje të japë qëndrime konsekuente, parimore në mbrojtje të standardeve të zgjedhjeve”. Meta përmendi zgjedhjet e 1996-ës, ku dy përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë u kërkuan vëzhguesve që të paraqisnin një situatë më normale sesa kishin parë në terren.

Ndërsa në një intervistë dhënë BBC-së në shqip dy ditë më parë, kreu i LSI-së akuzoi direkt organizmat ndërkombëtarë si faktorë të certifikimit të zgjedhjeve të pandershme në Shqipëri. Por, duket se sulmi i pandërprerë i Metës qysh se ka dalë nga greva e urisë, lidhet me qëndrimet e OSBE-së ditën e hënë. Në një deklaratë para mediave, ambasadori Robert Bosh tha se Kodi Zgjedhor duhej të ishte gjithëpërfshirës, transparent dhe se duhet të fillonte dialogu mes të gjitha partive, ndërsa dy orë më vonë, në një njoftim për shtyp, zyra e OSBE-së në Tiranë zbuti mjaft deklaratën e Boshit, duke u shprehur se duhej gjetur gjuha e përbashkët, por pa presion politik. Pas kësaj deklarate, dy partitë e mëdha u bindën për të vazhduar me miratimin e Kodit Zgjedhor, e kur gjithçka u bë fakt i kryer, Meta dhe nëntë deputetët e tjerë u bindën të dalin nga greva e urisë.

Ndërsa lëvizjet më të fundit të LSI-së tregojnë se kjo parti e ka pranuar humbjen e të pasurit ligjërisht përfaqësimin e saj në administrimin e zgjedhjeve, ndaj po mendon rrugë të tjera të mbrojtjes së votës së saj, siç është sjellja e vëzhguesve ndërkombëtarë, jo nga organizma të BE-së, por kompani që janë të specializuara në këtë çështje e që në njëfarë mënyre përkthehen si vëzhgues privatë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›