E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Avokati Visha s'ka faj për Mediun, zgjedhja e presidentit iluzion me Berishën votavjedhës

TIRANË- Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama nëpërmjet një editoriali ka dhënë arsyet e mbështetjes së opozitës së Ardian Vishës si kandidati favorit, për vendin vakant në KLD. Rama sqaron se socialistët nuk kanë ndryshuar qëndrim ndaj cështjes ‘Gërdeci’ duke mbështetur kandidaturën e Ardian Vishës, avokatit të Fatmir Mediut, pasi sipas tij avokati nuk është bashkëfajtor për akuzat e klientit të tij.

“Ne nuk e mbështetëm kandidaturën e Ardian Vishës për vendin në KLD as sepse ishte avokat i Fatmir Mediut, as sepse avokoi pafajësinë e ish-Ministrit të Mbrojtjes. Ky i fundit ka qenë, është dhe do të mbetet përgjithnjë i fajshëm për shpërdorim detyre me pasojë vdekjen e 26 njerëzve të pafajshëm, pavarësisht se kryefajtori është e do të mbetet kryeministri; pavarësisht se biznesin vrasës të Fabrikës së Vdekjes e hapi dhe e mbrojti deri në fund kryeministri; pavarësisht se gjykata e kapur nga pushteti i kryeministrit nxori të pafajshëm ish-ministrin për të nxjerrë të pafajshëm kryeministrin; pavarësisht se pafajësinë e Fatmir Mediut e shpiku gjykata e Saliut dhe nuk e fitoi Ardian Visha. Edhe vetë fakti që në fund fare, Fatmir Mediu nuk e votoi avokatin e tij, tregoi se ish-ministri i mbrojtjes ishte e mbeti një çirak i ustait të Fabrikës së Vdekjes”,- theksoi Rama. 

Kryesocialisti Rama duke deklaruar se kandidati socialist humbi se nuk kishte garë të lirë, akuzoi kryeministrin Berisha si ‘hajdut votash’.
“U pa qartë se ofertat korruptive për deputetët e opozitës u zmbrapsën po aq turpshëm sa në kohën kur hienat e Saliut bridhnin me para nëpër thasë e çanta të pista, për të tërhequr në sallë deputetët opozitarë të rreshtuar në frontin e rezistencës demokratike gjatë 6 muajve të bojkotit parlamentar. Por u duk edhe më qartë se as presionet e kërcënimet mbi vetë deputetë të shumicës. Prandaj kur plani për t’iu vënë shenja nëpër fletë të dyshuarve si deputetë brenda vetë radhëve të PD-së, dështoi me refuzimin e opozitës për të pranuar atë çka me trashësinë e vet monumentalisht të trashë, komisionerja Trashani e shprehu hapur si vullnet për të kontrolluar grupin e saj politik, Saliu bëri atë që s’e kishte bërë ende qysh kur ia nisi hajdutërisë elektorale në vitin 1996. Mori vetë personalisht rolin e kryetarit të “KQZ”-së parlamentare për t’i vjedhur votat drejtpërdrejtë me duart e tij. Iu turr i pari tryezës me fletët e votimit mu si ai huligani i famshëm i Ruzhdies që ka mbetur i fiksuar në kamerat e zgjedhjeve të vjedhura të vitit 2009. Sepse ato 71 vota që Jozefina i numëroi të enjten njësoj si Sudja kur firmoste lekët që nuk i kishte, kryeministri nuk i ka dhe nuk do t’i bënte dot kurrë bashkë, pa i çnjerëzuar në publik të tijtë aq brutalisht sa ç’i çnjerëzoi”,- vijon Rama në editorialin e tij. 

Rama nënvizon se PS mbështeti kandidatin Ardian Visha, pasi sipas tij ishte i pakorruptuar, profesional, dhe jo partiak duke nënvizuar se atij i’u hoq e drejta e garimit, duke dhënë kështu shembullin e shëmtuar se “parlamenti nuk përfaqëson vullnetin e zgjedhësve po fuqinë e vjedhësve”

Sipas Ramës, votimi i anëtarit të ri të KLD-së ndodhi në vigjiljen e një testi jashtëzakonisht të rëndësishëm për provimin e tretë të Shqipërisë në vjeshtë në Bruksel, duke shuar shpresat e BE për provë pjekurie nga palët për zgjedhjet e ardhme apo kreun e ri të shtetit.
“Bashkimi Europian e Shtetet e Bashkuara si avokati më i madh i Shqipërisë europiane, presin nga palët një provë të pjekurisë politike e demokratike të vendit dhe në asnjë mënyrë një tjetër shfaqje shpërfytyruese për institucionin e Presidentit, të parlamentit e të votës së lirë. E gjitha kjo tregoi, pa asnjë ekuivok, se me shkallën e marrisë së dhunshme ndaj votës ku u ngjit kryeministri duke habitur edhe ata që nuk habiten më prej marrëzive të tij, jo vetëm prova që pret bota demokratike prej nesh në zgjedhjen e Presidentit është hëpërhë një iluzion, po edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë seriozisht të kërcënuara në lirinë e tyre nëqoftëse votavjedhësi i saposhfaqur i Ruzhdies mu brenda në parlamentin e Shqipërisë do të qëndrojë gjatë zgjedhjeve në krye të qeverisë, i maskuar nën rrobat e kryeministrit”,- përfundon editorialein e tij kreu i PS.
(el.me/BalkanWeb) Lidhje te tjera EDITORIALI I PLOTË, RAMA: VOTAVJEDHËSI I RUZHDIES NË SALLËN E PARLAMENTIT

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›