Berisha: Këshilli i Evropës i dha goditjen fatale bojkotit
Pas kryeparlamentares Topalli edhe kryeministri Berisha lëshon akuza ndaj PS-së duke deklaruar se ka dërguar në letër në Këshillin e Evropës për përjashtimin e delegacionit shqiptar në KE. "Për herë të parë në historinë e Këshillit të Evropës përfaqësues të një vendi kërkojnë përjashtimin e vendit të tyre pas 15 vitesh anëtarë në Këshillin e Evropës", tha Berisha. Kreu i qeverisë tha se kjo kërkesë, është më antishqiptarja dhe është dërguar nga partia më e madhe opozitare në vend.
"Kjo përbën kërkesën më të dënueshme më antishqiptare, antidemokratike të formuluar gjatë 15-viteve ndaj Shqipërisë. Këtë kërkesë nuk e formuluan grupe marksiste-leniniste, as guerilë e grupe terroriste, por udhëheqja e partisë politike kryesore opozitare", argumentoi ai.
Kryeministri pohoi se me pranimin e kredencialeve të delegacionit shqiptar KiE i dha goditjen e merituar dhe fatale bojkotit, duke dëshmuar se kjo formë nuk kalon në institucionet demokratike. "Bojkoti nuk shpërblehet. Kjo që ndodhi tregoi se këtyre zotërinjve nuk u dridhet dora për të kërkuar dënimin e Shqipëisë, vetem me qëllim marrjen e karriges", u shpreh ai. Berisha i ka kërkuar PS-së t'i kërkojë falje shqiptarëve për këtë letër.