E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama:Do vazhdojmë me protestat pas festave

Në mbyllje të protestës për vitin 2009, kryesocialisti Edi Rama deklaron se edhe vitin tjetër populli opozitar do vijojë me protestat deri në rrëzimin e Sali Berishës nga qeveria. Në protestën e fundit e planifikuar në qarkun e Tiranës, përpara Parlamentit të Shqipërisë z.Rama përsëriti edhe një herë tjetër kërkesën e opozitës për hapjen e kutive të votimit.
Në fjalën e tij kreu i PS-së Edi Rama theksoi se Shqipëria është në greminën e krizës ekonomiko-politike. Kreu i opozitës duke i cilësuar edhe njëherë akuzat e kryeministrit Berisha si një gjuhë urrejtjeje ndaj opozitës theksoi se ai është kryeministri i fundit Stalinist i kontinentit europian.
"Ne protestojmë sepse jemi të fundit për nga demokracia, jemi të fundit për shtet të së drejtës sepse shteti është bërë njësh me interesat e pushtetit" theksoi Rama.
Ndërkaq, kreu i selisë rozë ka reaguar lidhur me plotësimin e kërkesës nga ana e kryeministrit Berisha për biznesin e vogël. Rama tha se edhe bashkiakët do të vijojnë me protestat deri në plotësimin e pesë kërkesave për pushtetin vendor.
Protesta e Tiranës erdhi pas një turi protestash në të disa qytete të Shqipërisë, si Vlorë, Fier, Berat, Durrës, Shkodër dhe Lezhë. Pas Vitit të Ri, e majta do të kthehet përsëri në protesta masive, madje ka paralajmëruar një tjetër protest maratonë në sheshin përpara kryeminsitrisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›