E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama:S`do ketë kompromis pa riformatimin e KQZ-së

Partia Socialiste mbetet e vendosur të mos tërhiqet nga kërkesat e saj në lidhje me reformën zgjedhore. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar, kreu i PS-së Edi Rama ka deklaruar nuk do të ketë kompromis me palën tjetër pa riformatimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

"Akuzat e përditshme të kryeministrit, kryetares së Kuvendit dhe të gjithë zëdhënësve të pushtetit dëshmojnë vullnetin e mbrapshtë për të mos e realizuar reformën. Është e qartë ajo që kërkojmë ne dhe duhet të jetë e qartë për të gjithë. Nuk mund të ketë zgjedhje normale në Shqipëri nëse nuk ka reformim të KQZ. E kjo nuk bazohet vetëm në eksperiencat shumë të hidhura që opozita ka me KQZ, por bazohet edhe në gjetjet e rekomandimet e vetë raportit të ODIHR. KQZ është një element i këtij raporti, për të cilin vëzhguesit ndërkombëtarë kanë folur shumë troç. PS e ka të pamundur që të tërhiqet në emër të çfarëdo kompromisi kur është fjala për të riformatuar KQZ dhe krijuar kushtet që ky institucion të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme,” tha Rama.

Sipas tij, transparenca e materialeve zgjedhore është një tjetër element, jo interes i nje pale, po përfaqësim i opinionit publik për të goditur korrupsionin e kudondodhur elektoral.

“Ne besojmë se e gjithë administrata zgjedhore edhe pse mbetet një administratë e balancës së palëve, duhet të jetë në shërbim të ligjit. Kemi pranuar këndvështrimin e ekspertëve të ODIHR lidhur me nevojën për të kaluar në një sistem pilot qoftë i identifikimit, qoftë i numërimit, por nuk pranojmë që ky sistem pilot të kthehet në një element për të bërë pazar” shtoi më tej Rama.

Ai ka theksuar se PS-ja është e gatshme të punojë me palën tjetër për korrektimin e sistemit zgjedhor duke arritur një kompromis të shëndetshëm i jep mundësi të gjitha partive të mund të përfaqësohen në parlament duke u bazuar në vullnetin e popullit.

Ndër të tjera kryesocialisti Rama lavdëroi dhe punën e ndërmarrë nga Komisioni Parlamentar mbi ministrinë e Mbrojtjes ndërsa ka shtuar se skandali më i fundit me armët hedh dyshime mbi përfshirjen e zyrtarëve në një trafik armësh. Ai ka shtuar se ky fakt është një tregues i degradimit të vazhdueshëm të institucioneve të këtij vendi dhe i kthimit të pushtetit në makineri përfitimesh.
 

“Skandali më i fundit që hedh dyshime të rënda mbi përfshirjen e zyrtarëvëe të rëndë në një trafik armësh është një tjetër këmbanë alarmi për domosdoshmërinë e një transperance dhe një ndryshimi radikal”, u shpreh kreu socialist.
 

Rama në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, ka folur edhe për arsimin dhe për gjëndjen e minierën e Bulqizës ku ditën e djeshme humbi jetën një minator.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›