E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ramën e kanë zënë ethet e humbjes”

Autori i Lajmit: Suela Topi
“Ne po i mbajmë premtimet e tona, siç i ka hije burrit. Siç e thotë dhe populli "burri lidhet nga fjala". Unë kam mbajtur dhe do të mbaj çdo premtim të dhënë. Kryetari i PS-së është në ethe të tmerrshme dhe dua t i them se nuk ka gjë që t ia ulë temperaturën atij. Kjo sepse është i sigurt se do t i humbasë zgjedhjet”

Kryeministri Sali Berisha paralajmëron nga Shkodra se kreu i socialistëve, Edi Rama, i ka të humbura zgjedhjet. Kryeministri ishte dje në qytetin verior në kuadër të turit “Shqipëria po ndryshon”. Berisha fillimisht mori pjesë në përurimin e kolektorit kryesor të sistemit të vaditjes dhe kanalizimeve dytësore në Bushat, investim me vlerë 2,6 milionë dollarë. Duke uruar banorët për këtë vepër të rëndësishme për të gjithë zonën, Kryeministri u shpreh se përurimi i 90 kilometrave kanale parësore dhe dytësore, të cilat mundësojnë ujitjen e 5400 ha tokë, do të fuqizojnë me tej potencialet e mëdha të komunës Bushat. Kryeministri Berisha siguroi fermerët e Bushatit dhe të gjithë Shqipërisë se për Qeverinë shqiptare përparësi themelore mbetet zhvillimi i qëndrueshëm dhe i integruar i fshatit shqiptar. Ai premtoi se, ndonëse në tre vjet për fshatin shqiptar është investuar me shumë se kurrë ndonjëherë në historinë e tij, në tre vitet e ardhshme do të investohet dy herë më shumë. “Në tre vjet kemi investuar për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë 104 miliardë lekë, kemi investuar mbi 1,2 miliard dollarë. Ky është investimi më i madh që është bërë ndonjëherë për fshatin shqiptar, në tërë historinë e tij. Por, nëse ne këto tre vjet ne investuam 1,2 miliard dollarë, ju jap fjalën e nderit se në tre vitet që vijnë do të investohen 2,4 miliardë dollarë. Qeveria nuk punon dot në fermat tuaja, por ajo do t ju krijojë të gjitha kushtet në rrugë, shkolla, kanalizime, ujësjellës dhe të gjitha kushtet urbane për një jetë sa më normale", - theksoi Kryeministri. Duke garantuar banorët e Bushatit se Qeveria do të mbajë të gjitha premtimet e dhëna deri më sot, Kreu i Ekzekutivit siguroi se tek kjo Qeveri ata do të gjejnë mbështetjen e plotë dhe të sigurt për zhvillim dhe prosperitet, ndërsa nuk harroi të thumbojë kryesocialistin Rama. “Tek kjo Qeveri keni mbështetjen e plotë dhe të sigurt për zhvillim dhe prosperitet. Ne po i mbajmë premtimet e tona, siç i ka hije burrit. Siç e thotë dhe populli, "burri lidhet nga fjala". Unë kam mbajtur dhe do të mbaj çdo premtim të dhënë. Kryetari i PS-së është në ethe të tmerrshme dhe dua t i them se nuk ka gjë që t ia ulë temperaturën atij. Kjo sepse është i sigurt se do t i humbasë zgjedhjet. Ne do të vazhdojmë me realizimin e premtimeve tona, me asfaltimin e rrugëve, me ujësjellësit. Dhe kur të vijnë zgjedhjet, do të votojmë si njerëz të lirë”, - vijoi Kryeministri. Po dje, Berisha, i shoqëruar nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministri i PPTT-së, Sokol Olldashi, dhe pushtetarë vendorë, mori pjesë në përurimin e shkollës 9-vjeçare në fshatin Trush të komunës Bërdicë, në rrethin e Shkodrës, një investim prej 56 milionë lekësh. Duke përshëndetur banorët e kësaj komune, që shtrihet në zonën e Mbishkodës, një zonë e dalluar për prodhimet bujqësore, Berisha konfirmoi dhe një herë se Qeveria do të vazhdojë të ndërtojë shkolla në të katër anët e vendit, duke përmendur këtu se në “tre vjet ne po shkojmë drejt dyfishimit të buxhetit në arsim”. “Janë ndërtuar 140 shkolla, 180 janë në ndërtim, 450 të tjera janë në rikonstruksion dhe do të vazhdojnë të rikonstruktohen dhe qindra të tjera”, - u tha Berisha banorëve të kësaj komune. Ndërsa kryeparlamentarja Topalli, njëherazi dhe deputete e zonës, duke falënderuar Kryeministrin për mbështetjen që i ka dhënë kësaj komune në realizimin e një sërë projektesh, premtoi për banorët ndryshime të mëtejshme në infrastrukturë dhe në jetën e tyre. Kreu i Ekzekutivit përuroi dhe rrugën Beltojë- Mali Hebaj-Berdicë e Madhe dhe rikonstruksionin e kolektorit në fshatin Beltojë- Berdicë.
Ky lajm është publikuar: 27/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›