Neritan Ceka, kandidati i mazhorancës për postin e zëvendësit të Topallit
Të njëjtat burime shprehen se nuk përjashtohet mundësia që në zgjedhjet e vitit 2009 Ceka të jetë dhe pjesë e koalicionit të djathtë, çka do të shënonte një rikthim të tij te partia prej së cilës u largua rreth 15 vjet më parë. Përgjatë këtyre viteve duhet theksuar se Ceka ka mbajtur një qëndrim opozitar, madje ka qenë dhe ministër në qeveritë e ndryshme socialiste, ndërsa prej vitit 1997, në mënyrë permanente ka qenë në koalicion me të majtën.
Kthesa e Cekës u pa që në kohën e zgjedhjes së presidentit më shumë se një vit më parë, ku kandidatura e tij riktheu garën e munguar në Kuvend. Të majtët asokohe nuk pranuan të zgjidhnin kandidaturë dhe iniciativa e Cekës do të rifuste Kuvendin në procedurën normale të zgjedhjes së presidentit. Duhet theksuar se futja e Cekës në garë ishte dhe shkëndija e parë, e cila do të sillte në Kuvend pesë deputetët socialistë që do të mundësonin më pas zgjedhjen e Topit në krye të shtetit dhe që shmangën zgjedhjet e parakohshme. Përpos kësaj ka qenë dhe një numër qëndrimesh të Cekës, jo vetëm publikisht, por edhe në Kuvend, të cilat linin të shihej qartë një afrim i tij me të djathtën. Vetë Ceka nuk e ka përjashtuar asnjëherë mundësinë e përfshirjes në qeveri, ndërkohë që është pritur kalimi i Bejës në postin e ministrit të Arsimit që Cekës t’i lirohet një vend në kryesinë e Kuvendit përkrah Topallit. Sa për ekzekutivin, duket se Cekës i duhet të shpresojë në një mandat tjetër qeverisjeje të mazhorancës.