E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, nis verifikimi i tapive

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Nis verifikimi i tapive për komunat Farkë, Petrelë dhe Dajt.
Prokuroria e Tiranës ka marrë në shqyrtim materialet zyrtare shkresore mbi disa prona për tre komunat periferike, ky dyshohet se janë mbivendosur prona dhe janë falsifikuar dokumentet. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se paralelisht me këto veprime hetimore, hetuesit po mbledhin edhe dëshmitë e banorëve të këtyre pronave, për të hedhur sa më shumë dritë mbi çështjen në fjalë. Sipas të njëjtave burime, gjatë dy muajve të fundit, në organin e akuzës janë depozituar afro 40 kallëzime penale nga banorë të ndryshëm, që pretendojnë se është abuzuar me tokat e tyre në disa nga komunat e Tiranës.
Verifikimi
Nis verifikimi dokumenteve të pronësisë në komunat Farkë, Petrelë dhe Dajt, për të cilat janë ngritur dyshime se janë tjetërsuar për qëllime përfitimi. Burime nga Prokuroria pohuan pohuan se hetuesit kanë filluar verifikimin e dokumentacionit zyrtar mbi këto prona, të marrë në organet e pushtetit lokal. Sipas të njëjtave burime, certifikatat apo vërtetimet e pronësise mbi këto troje do t u nënshtrohen, ditët në vijim, edhe ekspertizave përkatëse, për të parë nëse ka ose jo, falsifikime të tyre. Burimet nga organi i akuzës bëjnë të ditur se paralelisht me këto veprime hetimore, hetuesit po mbledhin edhe dëshmitë e banorëve të këtyre pronave, për të hedhur sa më shumë dritë mbi çështjen në fjalë. Sipas të njëjtave burime, gjatë dy muajve të fundit, në organin e akuzës janë depozituar afro 40 kallëzime penale nga banorë të ndryshëm, që pretendojnë se është abuzuar me tokat e tyre në disa nga komunat e Tiranës.
Titujt e pronësisë
Rreth 450 mijë tituj pronësie për tokën, që janë dhënë në të gjithë vendin, do të kalojnë në procesin e verifikimit. Procedurat do të nisin në fillim të muajit të ardhshëm dhe do të shtrihen në të gjithë vendin. Burime zyrtare nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit bëjnë të ditur se grupi i punës në Ministri, ka bërë gati materialet mbi kategorizimin e tokave, duke përcaktuar dhe llogaritur saktë sipërfaqet dhe shtrirjen gjeografike të tokave të ndara në 11 qarqe të vendit, të cilat do t i vihen në përdorim komisionit të posaçëm që do të kryejë verifikimin e titujve të pronësisë. Sipas të njëjtave burime, mësohet se verifikimi i titujve të pronësisë synon të përgatisë bazën e të dhënave, përmes të cilave do të evidentohen rastet problematike, të shfaqura, deri në mbylljen përfundimtare të procesit të shpërndarjes së tokës bujqësore.
Verifikimi
Çdo tapi, pavarësisht nga kushtet në të cilat është marrë apo koha, do të kalojë dhe një herë në sitën e Ministrisë së Bujqësisë. Burime nga ky institucion bëjnë të ditur se verifikimet do të shtrihen në gjithë Shqipërinë. Sipas të njëjtave burime, monitorimi nga komisionet e ngritura nën drejtimin e komisionit qeveritar, do të vazhdojë rreth tre vjet, kohë në përputhje me ligjin “Mbi verifikimin e titujve të pronësisë”. Krahas zonave ku janë ndeshur konflikte të herëpashershme, komisionet do të përqendrojnë kontrollet edhe në zonat turistike, me qëllim evidentimin e abuzimeve apo shkeljeve që mund të jenë bërë me titujt e pronësisë.

Kallëzimet
Mbi 40 kallëzime penale janë referuar kohët e fundit në Prokurorinë e Tiranës, në lidhje me abuzimet me pronat në disa zona në periferi të kryeqytetit. Lajmi është bërë i ditur nga burime pranë organit të akuzës, sipas të cilave mësohet se tashmë kanë nisur dhe hetimet në lidhje me pretendimet e qytetarëve të zonave të Farkës, Petrelës dhe Dajtit. Sipas të njëjtave burime, materialet denoncuese janë referuar në organin e akuzës nga banorë të komunave Farkë, Petrelë dhe Dajt, të cilët kanë ngritur pretendimet se është abuzuar me pronat e tyre.
Gjithashtu mësohet se një grup hetimi po shqyrton me hollësi materialet denoncuese për të proceduar më tej me zbardhjen e çështjes në fjalë. Burime nga organi i akuzës në kryeqytet bëjnë të ditur se këto hetime po realizohen nga Njësia Hetimore Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës. Banorët e zonave Farkë, Petrelë dhe Dajt pretendojnë se në pronat e tyre janë kryer mbivendosje. Kështu, në sipërfaqe të konsiderueshme tokash në këtë zonë, ka më shumë se një pronar. Burimet bëjnë të ditur se bëhet fjalë për sipërfaqe të konsiderueshme toke, por për shkak të hetimeve, nuk mund të bëhet ende e ditur me saktësi ajo. Ndërkohë grupi i hetimit ka nisur verifikimet për çdo denoncim paraprakisht në dokumentacione.

Konflike pronësie, dosjet në gjykatë

Burime zyrtare nga Gjykata e Faktit në Tiranë bëjnë të ditur se në sekretarinë e këtij institucioni janë depozituar 400 padi civile me objekt pronën. Sipas të njëjtave burime, mësohet se, si palë në proces në këto padi, në një numër të konsiderueshëm rastesh, paraqiten dhe institucione shtetërore. Kështu, Komisioni i Kthimit dhe i Kompensimit të Pronave, Komisioni i Kthimit të Pronave, KKK pronat e ish- pronarëve, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë apo Bashkia e Tiranës janë institucionet që janë paditur më shpesh në gjykatë nga persona fizikë e juridikë si dhe nga kompani të ndryshme. Burimet nga Gjyqësori konfirmojnë se gati në 90 për qind të rasteve, institucionet e lartpërmendura janë paditur në gjykatë nga individë, të cilët pretendojnë se janë kryer parregullsi me pronat e tyre. Pala paditëse pretendon kthimin e pronës ose kompensimin e saj në vlerë monetare. Në rastet e shqyrtuara nga togat e zeza janë pranuar shumë padi, duke i dhënë të drejtë palës paditëse, por dhe pas vendimit të gjykatës, shumë personave të shpallur si fitues të gjyqit, nuk ka qenë e mundur t u kthehen pronat apo të marrin kompensim.
Ky lajm është publikuar: 27/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›