Ramës i ngel në grykë PS-ja e Vlorës

Skema e vënies nën zgjedhë të të gjitha strukturave partiake, pas ngërçeve të regjistruara në Berat, Fier e Lushnje, është thyer në Vlorë, aty ku dega lokale s’duron dot të deleguar ylberistë që s’respektojnë ekuilibrat vendorë. Pas Erion Braçes, edhe Eltar Deda e Shpëtim Gjika janë rreshtuar tek lista e armiqve të rinj, por dy ditë shamatë në Asamblenë e qytetit po tregojnë se Edi Rama s’e kapërdin dot historinë e disa prej figurave në grupin parlamentar
Vendimi i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste për të deleguar anëtarët e kryesisë pa u konsultuar më parë me grupin parlamentar dhe bazën socialiste, në 12 qarqet e vendit, ka bërë që asambletë lokale në rrethe, të mos e përfillin dhe njëherazi kanë shpallur kushtet e emergjencës.
Pas dy mbledhjeve të njëpasnjëshme në Vlore, ra në sy ndarja e dy grupimeve të Asamblesë Socialiste të Qarkut. Debati dhe përplasja e interesave ka ndodhur mes njerëzve të dërguar nga kryetari Edi Rama, në njërën anë dhe e mbështetësve të drejtuesve lokale nga ana tjetër. Në takimin e parë të deleguar nga kryesia socialiste kanë qenë deputetët Fatmir Xhafaj dhe Valentina Leskaj, kurse në ditën e dytë të deleguar kanë qenë sekretari organizativ Blendi Klosi dhe Mezan Malaj.
Debate të ashpra kanë përfshirë sallën dhe anëtarët e Asamblesë Socialiste të Vlorës, ndërsa një pjesë e diskutantëve kanë kërkuar anulim të vendimeve të Asamblesë Kombëtare për Vlorën, duke u pozicionuar kështu dukshëm kundër delegatëve të emëruar 2 javë më parë, konkretisht më 22 janar 2012. Dy kanë qenë vendimet e kundërshtuara nga asambleja lokale e Vlorës, mënjanimi i Eltar Dedës si kryetar partie në këtë qytet, dhe data e zgjedhjeve brenda partisë në Vlore, e cila sipas urdhrit të postuar nga “korrierët” e Tiranës, është caktuar në 15 shkurt.
Drejtuesit vlonjatë të Partisë Socialiste, kanë paraqitur si shkak kohën e pamjaftueshme për t’u përgatitur për këto zgjedhje, duke qenë se mbeten vetëm 9 ditë. Propozimi tjetër që ngjalli dhe shumë debate në sallë, ka qenë fakti që ‘deputeti’ nuk mund të bëhet kryetar i Partisë së qytetit, një rregull ky që përjashton automatikisht Eltar Dedën. Po të shtojmë faktin që Eltar Deda nuk është më i deleguar i kryesisë socialiste, vihet re një mënjanim i tij, i qëllimshëm apo jo kjo mbetet të analizohet nga vetë drejtuesit lokalë të PS.
Por, reagimet nuk mungojnë dhe mbeten shprehje e zemërimit të vendimeve personale të Edi Ramës, për t’i imponuar bazës socialiste preferencat e tij, edhe pse nuk lidhen aspak me interesin e sinqertë të socialistëve të thjeshtë. Ishte vetë kryetari i bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika ai që ka kundërshtuar me forcë “delegatët” e Ramës, ndërsa ka kërkuar zyrtarisht rishikim të vendimit të asamblesë kombëtare, pasi sipas tij, delegimi në Vlorë i Fatmir Xhafës dhe Valentina Leskajt është tregues i shpërfilljes së qarkut të Vlorës nga lidershipi socialist si dhe përçues i mesazhit tragjik, për humbjen e madhe të 2013-ës. Por, kontestimet e bazës socialistë të Vlorës, s’janë as të parat dhe as të vetmet.
Në Berat u përzunë nga mbledhja të deleguarit e Tiranës, Namik Dokle, Armando Subashi dhe Ben Blushi, në Fier sherri i ndezur në prani të sekretarit organizativ Blendi Klosi dhe sekretarit për rininë, Erion Veliaj, bëri që të degradonte në përplasje jo vetëm verbale, por edhe fizike mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të vendimit të asamblesë për delegatët, ndërsa në Vlorë situata paraqitet më kritike, pasi është kryetari i bashkisë Shpëtim Gjika ai që tenton të hedhë poshtë delegatët e emëruar nga Rama dhe bërjen e zgjedhjeve për kreun e degës lokale, sipas rekomandimeve të korrierëve që erdhën nga Tirana.
Situatën e tensionuar si asnjëherë tjetër në qarkun e Vlorës, padyshim që nuk e qetëson as thërritja me urgjencë e deputetit Eltar Deda nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama për të dhënë sqarime, pasi në karakterin paranojak të Edvinit, dyshimet e para janë ato të sabotazhit.