E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdekja e fëmijës nga gjarpri dhe kryeministriNga Fitim ZekthiNjë ambulancë e nisur për në spitalin e Tiranës me një fëmijë 5-vjeçar në koma nga pickimi i gjarprit, dy ditë më parë në spitalin e Korçës, është padyshim dëshmia më e turpshme se në Shqip

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Vdekja e fëmijës nga gjarpri dhe kryeministriNga Fitim Zekthi

Një ambulancë e nisur për në spitalin e Tiranës me një fëmijë 5-vjeçar në koma nga pickimi i gjarprit, dy ditë më parë në spitalin e Korçës, është padyshim dëshmia më e turpshme se në Shqipëri jeta e njeriut nuk është një e drejtë. Fëmija humbi jetën, pasi spitali i Korçës nuk e mjekoi me serumin antivipera (kundërpickimit nga gjarpri). Mjekët, ndonëse fëmija ishte në koma, në një shtrat të spitalit, iu kërkuan prindërve të blinin në farmacitë private ilaçin, i cili kushtonte 73 mijë lekë të vjetra. Pavarësisht se ende nuk dihet se deri ku mund të shkojë papërgjegjshmëria e njeriut, dje drejtori i spitalit tha se ilaçi gjendej në spital, por mjekët nuk ia kanë dhënë fëmijës. Drejtori përdori një fjalë të çmendur për ta shpjeguar të gjithë këtë: “ka patur një diskordancë madhore”, - tha ai, duke nënkuptuar se nuk dihej nga personeli që ilaçi gjendej në spital. Rastet si ky, kur për probleme krejtësisht të kalueshme mbërrihet në vdekje, në Shqipëri nuk janë të rralla. Thuajse çdo spital në vend njeh nga këto. Vjet një adoleshente vdiq nga një ndërhyrje në bajame, një nënë e re vdiq në Sarandë pak muaj më parë nga gripi, në Berat dhe në Fier e njëjta gjë.

Pak ditë më parë në Tiranë një fëmijë u paralizua, pasi mjeku i dha një recetë të gabuar. Kjo në fakt është thjesht Shqipëria afrikane, ku pavarësisht se vdiq një fëmijë nga pickimi i gjarprit dhe nga papërgjegjshmëria e mjekëve, Ministria e Shëndetësisë nuk tha asgjë. Prokuroria as që pritet të thotë gjë. Njerëzit që mendojnë se janë të rëndësishëm në shtyp dhe televizione jetojnë në botën e diskutimeve për partitë, zgjedhjet, dorëheqjen e kryetarit, arsyet e humbjes, të fitores etj., pavarësisht se edhe për këto biseda e kanë injorancën me bollëk. Ditë më parë, presidenti amerikan ishte në Gana dhe mbajti një fjalim, i cili duket se na drejtohet edhe ne. Ia vlen të përmendim vetëm një fjali për kujdesin shëndetësor: Duhet me domosdo të mos lejojmë që një fëmijë të vdesë nga sëmundje e shërueshme këtu në Accra (kryeqyteti i Ganës) dhe në gjithë Afrikën. Ajo na bën më të vegjël kudo. Dhe ja pickimi i gjarprit, indiferenca e mjekëve, mosmjekimi, mungesa dhe mosmungesa e ilaçit, diskordanca madhore i morën jetën një fëmije 5-vjeçar në Shqipërinë “evropiane”.

Shqipëria jonë është vend në NATO, po rrit ekonominë, po përmirëson infrastrukturën, por të gjitha këto nuk kanë ndonjë kuptim, nëse fëmijët vdesin kështu. Kryeministri Berisha duhet të ketë një kusht për ministrin e ri të Shëndetësisë: nëse vdes një fëmijë nga sëmundje të shërueshme, ai duhet menjëherë të japë dorëheqjen. Të paktën shëndetësia nuk duhet parë më si ofiq, por si përgjegjësi, por edhe frikë. Njerëzit e Partisë Demokratike duhet të kenë frikë se mos kryeministri i emëron në këtë detyrë dhe jo të luajnë lojëra për ta fituar atë post. Për gjëra më të thjeshta sesa jeta njerëzore, njerëzit kanë frikë. Hemingueji, për shembull, thoshte se “dridhem para një letre të bardhë sepse të shkruash është shumë frikë.” Ky duhet të jetë kusht. Vite më parë në mbledhjen e KPD anekdotike të PS në fundvitin 2001, kryetari i Partisë Socialiste për Pukën, me një sinqeritet të pazakontë dhe i çmeritur nga lufta e turpshme për pushtet, tha: “Ju duhet të dini se ende në Shqipëri vdesin fëmijë nga pickimi i gjarprit, ndaj lërini këto grindje e akuza dhe ulni kokën.” Sot ai është larguar prej politikës së re, me sa duket, por ne shohim se jemi ende në atë pikë. Nuk ka asnjë arsye pse të mos ngrihen akuza për vrasje pa dashje dhe dënimi të jetë shembullor. Deklaratat universale për të drejtat e njeriut thotë qartë se fëmijët kanë të drejtën e një kujdesi të veçantë shëndetësor. Deklarata thotë se e drejta e jetës është e mbrojtur me ligj dhe thyerja e saj është krim i rëndë. Shqipëria e ka nënshkruar këtë deklaratë dhe ajo ka fuqi ligjore në këtë vend. Kryeministri Berisha vite më parë, në opozitë, bëri një gjest të mrekullueshëm njerëzor. Ai vizitoi në spital një fëmijë nga Hasi, i cili u dogj në kasollen e tij në mes të dimrit duke u përpjekur të ngrohej. Në prehër ky fëmijë mbante të vëllanë, i cili, i ngrirë nga i ftohti, ishte djegur pranë vatrës, pa e kuptuar që po digjej. Në fakt të dy kishin qenë të mpirë nga i ftohti dhe Berisha i tronditur nga kjo ngjarje premtoi atëkohë se fëmijët do të mbroheshin në këtë vend me çdo kusht. Ai shkoi në spitalin e fëmijëve në Tiranë, ku ishte fëmija që mbijetoi, dhe i përlotur mori angazhimin e mësipërm. Në këtë rast, për fëmijën 5-vjeçar nga Korça, por edhe për të tjerët si ky kryeministri duhet t’i përjetojë sërish këto emocione. Kryeministri e ka përmasën për të treguar se Shqipëria nuk duhet të jetë kaq mizore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›