E Diel, 1 Nëntor 2026

Përse Sali Berisha nuk më duket mafioz!Nga Mero BazeE dëgjova një ditë më parë kryeministrin Berisha, i cili duke licencuar fabrikat e çimentos në zonën turistike të Balldrenit, Shëngjinit dhe Bushatit, tha se këto fabrika do të përmbushin nevojat e

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Përse Sali Berisha nuk më duket mafioz!Nga Mero Baze

E dëgjova një ditë më parë kryeministrin Berisha, i cili duke licencuar fabrikat e çimentos në zonën turistike të Balldrenit, Shëngjinit dhe Bushatit, tha se këto fabrika do të përmbushin nevojat e Shqipërisë për çimento, për të cilën ky vend ka ende uri. Nuk po merrem me faktin se fabrika që licencoi ai është 1 km larg Balldrenit, 3 km larg plazhit të Shëngjinit apo tjetra duhet të shkatërrojë 200 mijë metra katrorë pyll, edhe pse me këtë duhet të merret çdo qytetar i këtij vendi që dëshiron të jetojë këtu. Nuk po merrem as me faktin se dy prej tyre i ka njeriu i familjes së vet, pasi tashmë është ligjëruar që gjithë pushtetin ekonomik dhe politik e ka familja e tij. Ajo që më vrau veshin ishte me të vërtetë shpikja e “nevojës së Shqipërisë për çimento”. Sipas statistikave zyrtare, madje atyre të INSTAT, që Berisha ka më shumë qejf, Shqipëria ka arritur maksimumin e përdorimit të çimentos në masën 2 milionë tonë në vit. Sot fabrika e titanit që është duke përfunduar dhe fabrika aktuale e libanezëve, prodhojnë katër milionë tonë, shto këtu dhe prodhimin e fabrikës së Elbasanit. Pra, aktualisht Shqipëria ka dyfishin e nevojave të veta për prodhimin e çimentos dhe me licencat që jep Berisha, ky prodhim duhet të jetë nja 5 herë më shumë se sa na nevojitet.

Tashmë problemi është se të gjithë po e shikojmë kryeministrin tonë si mafioz, që e heq për hunde djali, duke i thënë “më jep fabrika çimentoje”, apo vajza që i thotë “më jep leje për Gjirin e Lalzit, Dajtin e Farkën”, Rezart Taçi që i thotë “më kalo pa doganë anijen” etj. Në të vërtetë veprimet e tij nuk ngjajnë me veprime mafioze. Çdo kreu të mafies, po t’ia kishe propozuar këtë plan për prodhimin e çimentos, nuk do ta kishte miratuar, se së pari s’ka leverdi ekonomike dhe së dyti është jashtë çdo logjike mbijetese në tregun e çimentos. Shqipëria s’mund të jetë një superfuqi për prodhimin e çimentos, pa qenë më parë një nyje strategjike botërore për shpërndarjen e saj. Tregu shqiptar as mund të prishë monopolet botërore të çimentos dhe as mund të konkurrojë prodhuesit tradicionalë të saj afër nesh si Italia e Jugut, Turqia etj. Për këtë arsye më shumë se mafioz, veprimi i Sali Berishës më duket i papërgjegjshëm, mendjelehtë dhe në funksion të interesave të ditës së familjarëve të vet, që i kanë bërë stivë dosjet mbi tavolinën e tij dhe presin firmat. E gjithë historia e prodhimit të çimentos mund të përfundojë në histori shitjesh licencash nga njerëzit e familjes Berisha dhe asgjë s’ka për të ndodhur më tej, veç ndonjë fitimi të shpejtë në xhepat e tyre. Por bashkë me këtë marifet për të bërë ca pará me vulën e kryeministrit ikin energji të pafundme dëm, harxhohen miliona për studime dhe ndërtime dhe keqorientohen energjitë e biznesit shqiptar. Tashmë një njeri që do të ndërtojë fshat turistik në Balldren, nëse ka nisur, duhet të hedhë në erë fabrikën e çimentos që do t’i ndërtohet pranë ose, nëse s’ka nisur, s’do nisë kurrë, se fabrika s’ka për ta lejuar. Ky zhvillim kaotik i vendit nga një njeri i marrë peng nga skifterët e licencave dhe koncesioneve, është dëmi real që kryeministri po i shkakton vendit.

Nëse u hedh një sy gjithë dosjeve të KRRTRSH, e shikon qartë se çdo firmë e tij është një “qokë” për dikë që i rri në paradhomë apo në shtëpinë e tij. Njeriu që ka anatemuar Alban Eftimin, i ka miratuar aty nja 4 studime pjesore të kritikueshme, njeriu që flet për plan urbanistik, ka miratuar ndryshime destinacionesh për parqet kombëtare, njeriu që flet për turizëm, ka miratuar modelin e Golemit në Gjirin e Lalzit dhe kampin e pionierëve në Durrës. Është thjesht një mungesë lirie e tij për t’u sjellë si kryeministër. Mezi ka pritur të mbaronte kjo fushatë dhe pavarësisht si do dilte, ai duket që korrikun e kishte planifikuar si muaj të vetin. Aq shumë i paqartë dhe i papërgjegjshëm është në menaxhimin e postit të tij, sa nga një anë ka lëshuar tatimorët të nxjerrin lekë nga çdo skutë e biznesit në Shqipëri, nga ana tjetër ka një muaj që shkëmben letra me Rezart Taçin si të fusë pa paguar asnjë lek një anije me naftë, nga e cila shteti humbet mbi 7 milionë euro.

Kjo pafuqi e tij për të kundërshtuar elementët e paorganizuar mafiozë në vend, vetëm për shkak të shërbimeve që i kanë bërë sekserët e tyre, të bind përditë e më shumë se nuk kemi të bëjmë me një kryeministër tipik mafioz, por me një kryeministër të dobët, peng të mafiozëve të vegjël dhe shpesh të paditur të Shqipërisë, që mund t’i nxjerrin ujin e zi këtij vendi, duke prodhuar një kaotizëm të tillë në zhvillimin e vendit.

Sali Berisha me aktet e tij të fundit duket se mezi ka pritur të mbarojnë zgjedhjet dhe t’ua bëjë gjithë nderet që s’ua bënte dot para fushatës këtyre njerëzve. Tani ai është i pandëshkueshëm, pasi ka arritur të mbetet ende në pushtet, dhe më keq akoma, është dhe i paparashikueshëm, pasi po jep prova se nuk bën kujdes të zbatojë asnjë ligj dhe asnjë vendim, qoftë dhe nga ato që ka miratuar vetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›