Tashmë edhe shqiptarët me karta tahografi
Qëllimi i Marrëveshjes është prodhimi dhe shpërndarja e kartave dixhitale për drejtuesit e mjeteve, organeve të kontrollit në rrugë, ofiçinave të instalimit, kalibrimit dhe inspektimeve periodike të tahografit dixhital, si dhe kartave të kompanive të transportit. Pajisja me kartën e tahografit dixhital vjen si një detyrim i komisionit Ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën, për të gjithë shtetet anëtare të Marrëveshjes “Mbi punën e ekipeve të mjeteve në transportin ndërkombëtar rrugor “(AETR), në bazë të së cilës, të gjithë transportuesit duhet të pajisen me kartat e tahografit dixhital deri në 16 qershor 2010, në të kundërt ata janë të penalizuar në transportin ndërkombëtar të mallrave dhe udhëtarëve. Me kartat e tahografit dixhital do të pajisen të gjithë ata drejtues që drejtojnë mjete që janë futur në shërbim për herë të parë pas 1 maj 2006, dhe përkatësisht, mjetet e mallrave mbi 3.5 tonë dhe autobusët. Theksojmë se të gjithë mjetet që aktualisht janë të pajisur me tahografin analog do të vazhdojnë të kryejnë aktivitetin e tyre normal (pa qenë nevoja të pajisen me tahograf dixhital) edhe pas datës 16 Qershor.Autoriteti i lëshimit të kartave të tahografit dixhital në Shqipëri është caktuar Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.