PD, akuza djalit të Dades PS: Do bëjmë padi në Prokurori

PD akuzon ashpër familjen e Dades. Rama: Do ngremë padi në gjykatë dhe prokurori
TIRANË - Ndërsa Sekretarja e Marrëdhënieve me Jashtë në PS, Arta Dade, ndodhet në Strasburg në krye të një delegacioni të selisë rozë për të përcjellë situatën politike në vend, Partia Demokratike e ka sulmuar ashpër atë, duke akuzuar se djali i saj është i lidhur me eksponentë të organizatës "Hakmarrje për Drejtësi".
"Pak kush na ka besuar deri dje po kjo është një provë që fakton të gjitha akuzat e mëparshme se Arta Dade dhe familja e saj janë të lidhura me 100 fije me organizatat më të rrezikshme kriminale të Shqipërisë dhe Ballkanit.
Në këtë foto, shohim qartë 2 koli, pra 2 pako që djali i Arta Dades, Alban Dabulla ia dërgon me postë Orik Shytit, pra njërit prej eksponentëve të organizatës më të rrezikshme kriminale të "Hakmarrjes për Drejtësi" Dhe janë pikërisht lidhjet e krimit ato që e shndërrojnë Daden në njeriun më të besuar dhe zëdhënësen e jashtme të Edvin Kristaq Ramës.
Daden dhe Ramën i bashkon Aldo Bare dhe "Hakmarrja për Drejtësi", - u shpreh dje përmes një deklarate për shtyp zëdhënësja e selisë blu, Erla Mëhilli, e cila bëri publike edhe disa foto për çështjen në fjalë.
Por, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Partisë Socialiste. Kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi dje pasdite përmes një konference për shtyp se për këtë qëndrim do të depozitohet edhe një padi në organin e akuzës.
"I zhytur përditë e më shumë në batakun e një krize, që e ka shkaktuar vetë, Sali Berisha ka nisur prej disa ditësh një nga sulmet e tij rrugaçërore ndaj Partisë Socialiste.
Pikërisht dje, kur duhet t'u kërkonte shqiptarëve ndjesë për marrëveshjen që u rrëzua unanimisht nga Gjykata Kushtetuese pa asnjë votë kundër, ky Esat Toptan i kohëve moderne, akuzonte si antishqiptare opozitën për ngritjen e zërit në Këshillin e Europës në mbrojtje të vlerave dhe parimeve europiane të demokracisë.
Ndërsa sot, Sali Berisha nxori gjuhën për të ndotur me baltën e akuzave të tij kriminale Sekretaren Ndërkombëtare të partisë për faktin se po dëshmon në Këshillin e Europës të vërtetën e hidhur të krizës së demokracisë në Shqipëri. Padyshim që një tjetër padi e pret për akuzat e sotme ndaj Arta Dades në prokurori e në gjykatë", - tha Rama.