Rammstein: Rock grup, apo neonazistë

Prejse u formua, në vitin 1994, pothuajse nuk kaloi asnjë vit, asnjë turne dhe asnjë album, pa i rihapur polemikat rreth grupit muzikor nga Berlini Lindor. A u emëruan pankerët e dikurshëm sipas bazës ushtarake Rammstein, në të cilën ndodhi një fatkeqësi ajrore?
A po luajnë ata me estetikën e Gjermanisë naziste në video-filmin “Stripped”, apo edhe vetë janë neonazistë? Apo, mos ndoshta këtu bëhet fjalë për një grup të cilin mediat nuk dëshirojnë ta kuptojnë?
“Nuk na pëlqejnë kopjet. Dëshirojmë të jemi origjinal. Ekziston një thënie e bukur indiane: 'Kur të ecësh me shputa të huaja, nuk le asnjë gjurmë’”, thotë kitaristi i Rammstein, Paul Landers.
E, Landers dhe grupi i tij vërtet kanë lënë gjurmë. Si përfaqësuesi më i njohur i Neuen Duetschen Harte (Ashpëria e Re Gjermane), një përzierje kjo e muzikës elektronike dhe e asaj rock, me kalimin e viteve Rammstein është shndërruar në produktin numër të eksportuar muzikor gjerman. Grupi ka mbi 15 milionë albume të shitura nëpër botë dhe më shumë se 300 shpërblime ndërkombëtare.
Por problemet, për shkak të teksteve dhe shfaqjeve, grupin e përcjellin që nga fillimi.
“Gjithnjë jemi shtirë sikur Gjermania është një shtet krejt normal. Një shtet si gjithë të tjerët. Si Hungaria, për shembull. Por, nuk është. Neve na është dashur ta pranojmë këtë gjë. Këtu ndodhi lufta, pra një kohë për të cilën nuk flitej. Dhe, ja që ne merremi me të deri në pakufi”, thekson Landers.
Një bombë gjashtë-komponentësh
Për publikun gjerë Rammstein u bë i njohur me filmin e regjisorit David Linch, “Lost Highway” (Autostrada e Humbur). Në kërkim të regjisorit për video-klipin e tyre të parë, pjesëtarët e grupit ua dërguan albumin e parë krijuesve të shumtë filmikë që i njihnin nga filmat artistikë. Linch nuk e bëri video-klipin e parë të tyre, megjithëse edhe kënga “Heirate Mich” (Martohu me Mua) u përcoll me një skenë seksi të dhunshëm.
E nëse dikush kërkon përmbajtje provokative në tekstet e grupit, ato edhe do t’i gjejë: vrasja e nënës, incesti, alegoritë sado-mazohiste, gjaku dhe kalbja... Megjithëse aty është edhe një romantikë e bukur, por e shprehur në mënyrë tejet morbide. Që nga themelimi i grupit muzicientët refuzojnë të flasin për konceptin e tyre artistik, edhe pse nuk kanë asnjë album pa jehonë negative në media, të tipit: “Këto janë fantazi dhunuesish... madhërim i dhunës...”.
Por, përkundër të gjithave, Rammstein mbetet Rammstein. Në vend se të lëshojë pe para presionit medial, grupi vazhdon me provokime. Paul Landers thotë se ndryshe nuk shkon.
“Shumica e ideve zakonisht janë provokative. Ne jemi një bombë gjashtë-komponentësh. Komponentët individualë mund edhe të jenë në rregull, por kur të bashkohen vije deri te një reaksion kimik, e pastaj ndodhë gjithçka”, pohon ai.
Kanibali, Leni Riefenstahl, pastaj porno filmi...
Rammstein është grupi më i njohur gjerman jashtë vendit. Japonezët i këndojnë tekstet e tyre në gjermanisht - fjalë për fjalë, stadiumet e Amerikës Latine mbushen përplot, edhe pse i duan edhe vetë amerikanët. Pothuajse nuk kaloi asnjë Grammy Awards pa të paktën një nominim.
Ndërkohë, grupi mësoi edhe se si duhet qasur ndaj mediave gjermane. Pjesëtarët e grupit, përfshirë edhe këngëtarin, Till Lindemann, refuzojnë të flasin për gazetarët gjermanë.
Albumi i fundit, “Liebe Ist Fur Alle da” (Dashuria Është Për të Gjithë Ne), i publikuar në vitin 2009, sërish shkaktoi shok. Pas kanibalit Armin Meiwess dhe estetikës së filmit “Olimpia” dhe Leni Riefenstahl, në program të Ramstein ishte porno. Bashkë me kult-regjisorin Jonas Akerlund, grupi incizoi singllin “Pussy”, një porno film ky i xhiruar në një klub berlinez.
Një provokim vulgar dhe naiv?
Paul Landers thotë: “Nuk kam ndonjë teori të mençur për atë se përse bëmë një video-klip nga një porno. E bëmë nga budallakia. Por, si tingëllon kjo në një intervistë? Jemi aq të marrë saqë e bëmë”.
Në listë të zezë
Enti federal për hulumtimin e përmbajtjeve mediale që cenojnë të rinjtë ka futur albumin e fundit të Rammstein në listë të zezë. Madje, ish-ministrja federale, Ursula von der Leyen, ka ngritur edhe një padi personale. Fantazia sadiste “Ich Tue Dir Weh” (Po të Shkaktoj Dhimbje), dhe disa fotografi nga kopertina e albumit, ishin ato që i shqetësuan. Qysh nga viti 1987 asnjë album komplet i ndonjë grupi nuk u fut në listë të zezë, megjithëse krejt kjo procedurë grupit berlinez i bëri një reklamë pa pagesë. Turneu botëror që pasoi u shit i tëri. Kulmi i turneut ishte koncerti në New York, kur për vetëm gjysmë ore u shitën të 12,000 biletat.DW