Ramos mban seancën e parë stërvitore me Real Madridin
Juande Ramos, i cili të martën u caktua trajner i ri i Real Madridit, nuk ka lënë që asnjë minutë t'i ikë, por në mbrëmje ka mbajtur seancën e parë stërvitore me lojtarët madrilenë në Valdebabas. Ramos, i cili ka gjetur një skuadër përplot lëndime, ka kërkuar nga lojtarët e tij që të zhvillojnë disa taktika në mesfushë dhe disa ushtrime rutine të pasimit të topit. Ish-trajneri i Tottenhamit ka përcjellë edhe angazhimet e lojtarëve të rinj Alberto Bueno, Chema Anton dhe David Mateos, me ç'rast Alberto Bueno pritet që të inkuadrohet në ndeshjen e të mërkurës kundër Zenitit. Lojtarët në rikuperim: Sneijder, Miguel Torres, Heinze, Pepe dhe Van Nistelrooy kanë bërë ushtrime ndaras nga pjesa tjetër e skuadrës, ndërkohë që Mahamadou Diarra dhe Ruben de la Red vazhdojnë të pushojnë pas lëndimeve serioze që kanë pësuar. Trajneri i ri ka caktuar listën prej 18 lojtarëve të cilët do të luajnë në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Zenit St Petersburg, e cila përfshin të njëjtët lojtarë të cilët u përballën me Sevillan: Portierë: Casillas, Dudek, Mbrojtës: Salgado, Sergio Ramos, Anton, Metzelder, Cannavaro, Marcelo. Mesfushorë: Gago, Robben, Guti, Drenthe, van der Vaart, Javi Garcia. Sulmues: Raul, Higuain, Saviola, Bueno.