Rapidi e lë të lirë Salihin

Hamdi Salihi mund ta zgjedhë ekipin e ri. Rapid Vienna është e gatshme të bisedojë me klubet e interesuara për shërbimet e sulmuesit shqiptar, qysh në janar. Përfaqësuesi shqiptar ka përfunduar në bankinë gjatë pjesës më të madhe të sezonit vjeshtor, kështu që ai pritet t’i bëjë valixhet gati gjatë afatit kalimtar dimëror.
“Nuk e di se çka është paraparë të bëhet me mua”, ka thënë ish-futbollisti i Vllaznisë së Shkodrës për mediat austriake.
Por, për ta kthjelluar paqartësinë e 27-vjeçarit është përkujdesur trajneri i Rapidit, Peter Schottel. “Nëse arrin ndonjë ofertë e kënaqshme, mund të largohet”, thotë trajneri austriak. Salihi ishte transferuar në Rapid në vitin 2009 nga Riedi.
Salihi nuk është paraqitur fare në fitoren e fundit të Rapidit me rezultat 2:1 ndaj FC Admira. Aktualisht, Rapidi gjendet në pozitën e parë me 32 pikë të grumbulluara, pas 19 xhirosh të zhvilluara.