E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga Liga e Parë, synon Bundesligën

I transferuar para një viti e gjysmë prej Ligës së Parë të Kosovës në SV Gersthofer, Artan Selimi po shkëlqen në Ligën e tretë të Austrisë, ku ka shënuar 27 gola. Kjo ka bërë që ish-futbollisti i 2 Korrikut tani të kërkohet nga skuadra të Bundesligës 2 të Austrisë. 26-vjeçari i mirëpret këto oferta, pasi thotë se nga kjo ligë lehtë mund të kalojë në elitën e futbollit austriak.

Futbollisti kosovar, Artan Selimi po shkëlqen në futbollin austriak. Para një viti e gjysmë, ai luante në Ligën e Parë të Kosovës, me 2 Korrikun. Ai qe ndarë me këtë klub dhe pati marrë rrugën drejt Austrisë.

Atje, menjëherë 26-vjeçari ishte angazhuar në skuadrën SV Gersthofer, e cila garon në Ligën e tretë austriake. Qe një vit e gjysmë, Selimi ka shkëlqyer me fanellën e këtij ekipi, duke i realizuar 27 gola.

“Në kampionatin e kaluar isha golashënuesi i dytë në këtë ligë, me 18 gola të shënuar, kurse para meje ishte një futbollist i njohur serb, i cili më herët pati luajtur në elitën e futbollit austriak. Kurse, deri më tani, në këtë sezon i kam shënuar edhe nëntë gola të tjerë”, thotë Selimi për Express.

Ky efikasitet i mesfushorit ofanziv nuk ka mbetur pa u vërejtur nga klube më të mëdha sesa ato të Ligës së tretë. Ish-futbollisti i Trepçës, i Dritës e Gjilanit thotë se dy skuadra nga Bundesliga 2 e Austrisë kanë shprehur gatishmërinë për t’i siguruar shërbimet e tij.

“Nga Liga e tretë ka shumë ekipe që më kanë kërkuar, por synim imi është të luaj në kategori më të forta. Jam në kontakte me dy skuadra të Bundesligës 2, të cilat kanë shprehur interesim për mua. Ato janë Austria Lustenau dhe First Vienna. Gjasat janë të mëdha që shpejt të kaloj te njëri prej këtyre dy ekipeve, të cilat duket se janë të gatshme t’ia paguajnë SV Gersthoferit 20 mijë euro dëmshpërblim për mua. Do të dëshiroja që gjatë këtij afati kalimtar të kaloja në njërin prej këtyre dy ekipeve”, tha ai.

Selimi tregoi se synimi i tij është që të aktivizohet sa më shpejt me ndonjë ekip në Bundesligën 2, për t’iu afruar kështu elitës së futbollit austriak, ku ai dëshiron të luajë në të ardhmen.

“Një trajner i Bundesligës më ka thënë se kam kualitet për të luajtur në Bundesligë. Por, unë fillimisht dua të luaj në Bundesligën 2, dhe gradualisht kështu dua të mbërrij në Bundesligë. Nëse luan në Bundesligën 2, ke mundësi të mëdha për të kaluar në Bundesligë. Shpresoj ta arrij këtë synim. Do ta realizoja një ëndërr të madhe që në një të ardhme, të luaj në Bundesligë bashkë me lojtarët e Rapidit, Hamdi Salihi e Atdhe Nuhiu”, u shpreh lojtari me prejardhje nga Kamenica, i cili festën shqiptare, 28 Nëntorin, e kishte kremtuar bashkë me Salihin e Nuhiun.

Mirëpo, ai është e vetëdijshëm se nuk do ta ketë të lehtë ta realizojë këtë ëndërr, dhe për këtë, Selimi e tregon arsyen.

“Në Austri është shumë problem për lojtarët e huaj që të përparojnë. U kushtojnë rëndësi të madhe lojtarëve vendorë. Në Bundesliga 2 klubet nuk lejohen të përforcohen me më shumë sesa tre lojtarë të huaj. Kështu, ekipet që po më kërkojnë, fillimisht duhet ta largojnë ndonjë lojtar të huaj, për të më marrë më pas mua. Pavarësisht kësaj, unë jam optimist se do të vazhdoj përpara”, shtoi ai.

Ai pohoi se ka pasur mundësi të sfidohet edhe në futbollin gjerman. “Një menaxher pati tentuar të më dërgojë në Greuther Furth. Por, aty fillimisht duhej të testohesha, e më pas do të dihej se a do të mbetesha apo jo. Ashtu nuk doja, sepse këtu në Austri mund të gjej skuadër të rangut më të fortë pa u testuar fare”, përfundoi Selimi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›