Behrami mendon për mbijetesë

Valon Behrami e ka shikuar renditjen tabelore të Fiorentinës së tij dhe e ka analizuar gjendjen aktuale të ekipit nga Firenza.
Klubi ‘Viola’ barazoi të shtunën mbrëma me Atalantën, 2:2, duke ia vështirësuar vetes punët. Ekipi i Delio Rossit aktualisht gjendet në pjesën e poshtme të tabelës, vetëm 5 pikë larg zonës së ekipeve të rrezikuara për të rënë nga Serie A.
“Duhet të jemi realistë. Nëse e shikojmë situatën aktuale, duhet të luftojmë për mbijetesë. Do të shohim se çka do të ndodhë të martën, ku na pret një ndeshje tjetër e rëndësishme. Nëse e shikojmë realitetin në fytyrë, duhet të shikojmë të mbetemi në Serie A”, deklaroi mesfushori kosovar për uebfaqen calcioneës24.com.
Në ndeshjen e ardhshme, të fundit për këtë vit, Fiorentina do ta zhvillojë me Sienën, si mysafire.