Rapidi fiton, Hamdi Salihi lihet pushim
Hamdi Salihi do të paraqitet në grumbullimin e Kombëtares më i freskët. Kjo për faktin se sulmuesi shqiptar është lënë pushim në ndeshjen e javës së katërt të kampionatit austriak, që Rapidi i Vjenës zhvilloi në fushën e Shturmit të Gracit. Zgjedhja teknike e trajnerit Pakult është bërë edhe për faktin se sulmuesi shkodran është aktivizuar prej minutës së parë në ndeshjen e kthimit, të vlefshme për turin e tretë të Europa League, që vjenezët fituan 3-0 kundër bullgarëve të PFC Beroe Stara Zagora. Në sfidën e datës 3 gusht, Salihi qëndroi në fushë 79 minuta, ndërsa në ndeshjen e djeshme iu dha një shans edhe sulmuesve të tjerë. Rapidi fitoi 2-0 kundër Shturmit, ndërsa golat u shënuan nga mbrojtësi Patoçka në të 39-tën dhe sulmuesi kryesor Jelaviç, i cili dyfishoi shifrat në të 81-tën.
#