Vret me kallash vajzën e hallës, dyshohet për motive xhelozie
GRAMSH – Një 27-vjeçar, i nxitur nga pasioni i çmendur i xhelozisë, ka vrarë vajzën e hallës së tij, me të cilën dyshohet se kishte lidhje. Ngjarja e rëndë ndodhi dje pasdite, rreth orës 16.00 në qytetin e Gramshit. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se shtetasja Greta Xhaferri është vrarë me armë automatike, tip Kallashnikov, nga kushëriri i saj, Ilir Koçi. Autori i krimit është ndaluar pak minuta pas ngjarjes. Pas hetimeve paraprake, dyshohet se viktima dhe autori i krimit kishin lidhje mes tyre dhe xhelozia, duket se është bërë shkas për vrasjen e ndodhur pasditen e djeshme.
Ngjarja
Krimi i rëndë ka ndodhur në 16.00 në Gramsh kur 27-vjeçari Ilir Koçi, dyshohet se ka hapur zjarr ndaj kushërirës së tij duke e lënë të vrarë në vend. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në banesën e familjes Xhaferri, e cila ndodhet në qendër të qytetit. Sipas të dhënave, Greta Xhaferri, lindur e banuese në lagjen nr 1 të qytetit Gramsh, është vrarë me armë zjarri të tipit “Kallashnikov”, duke u qëlluar me disa plumba brenda në banesën e saj. Ajo ka gjetur vdekjen e menjëhershme, pa pasur kohë që të marrë ndihmën e parë mjekësore. “I dyshuari, Ilir Koçi, gjithashtu i lindur dh banues në Gramsh, i cili ka lidhje fisnore me të ndjerën, dyshohet se e ndërmori aktin vrasës pas një grindjeje të çastit. Koçi është arrestuar në kushtet e flagrancës dhe mësohet se e ka pranuar krimin para agjentëve të policisë.
Hetimet
Burime nga grupi hetimor i ngjarjes, bënë të ditur se Ilir Koçi, 27 vjeç, lindur e banues në qytetin e Gramshit, akuzohet se ka vrarë vajzën e hallës së tij, Greta Xhaferri, 21 vjeçe për motive xhelozie “Nga hetimet e kryera ne provuam faktin se mes djalit 27-vjeçar dhe vajzës, edhe pse kishte lidhje farefisnore të afërta, ekzistonte një lidhje ndjenjësore, e cila ishte shndërruar në raport mes të dyve. Në grindjen e pasdrekes së djeshme, vajza refuzoi të vazhdojë lidhjen sentimentale që ekzistonte mes tyre dhe në kushte të një gjendjeje depresive dhe gjaknxehtësisë së çastit, dyshohet se ndodhi krimi i rëndë”, sqaruan burimet e mësipërme. Por, burimet bëjnë të ditur se nuk përjashtohen edhe pista të tjera, si ajo e konfliktit për motive pronësie mes familjeve. Gjithësesi, rrethanat dhe motivet e kryerjes së krimit kanë nxitur policinë për të verifikuar gjendjen mendore të autorit të krimit, i cili është dërguar menjëherë në mjediset e komisariatit të Policisë së Elbasanit.
13 Gusht 2008