Prokuroria: “Vrasja në Sharrë ishte me dashje”
Prokuroria ka ngritur akuzën "Vrasje me dashje" ndaj burrit të moshuar, që vrau me armë zjarri bashkëshorten e tij një ditë më parë në periferi të Tiranës. Burime zyrtare nga prokuroria bënë të ditur të martën për gazetën “Albania” se, grupi hetimor i komunikoi zyrtarisht në qelitë e paraburgimit akuzën e vrasjes me dashje 79 vjeçarit, Selman Lala, lindur në fshatin Bardhaj (Dibër) dhe banues në kryeqytet. Sipas këtyre burimeve,
79-vjeçari Lala akuzohet se ka vrarë me armë zjarri të llojit çifte bashkëshorten Safie Lala, 76 vjeç, pas një grindje familjare, në banesën e tyre në lagjen nr.6 në Sharrë, Kombinat. Nga të dhënat hetimore të mbledhura për këtë ngjarjeje, mendohet se 79-vjeçari Lala ishte në gjendje të dehur gjatë kryerjes së krimit. Ai u arrestua në kushtet e flagrancës nga forcat e Komisariatit nr.6 të Policisë, të cilat i sekuestruan atij me cilësinë e provës materiale armën e krimit një çifte gjahu model rus, që e mbante me leje. Ditën e nesërme 79 vjeçari Lala pritet të dalë para Gjykatës, ku do të njihet me masën e sigurisë.
Ngjarja
Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje në Tiranë, kur një burrë i moshuar ka vrarë me armë zjarri pas një grindjeje të çastit gruan e tij. Gjithçka ka ndodhur gjatë orëve të paradites së të hënës, në një banesë pranë Sharrës në Kombinat, ku prej kohësh jetonte familja Lala. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë për gazetën “Albania” se Selman Lala, 79 vjeç, ka qëlluar për vdekje me armë zjarri të llojit çifte bashkëshorten e tij, 76-vjeçaren Sofie Lala. Sipas burimeve zyrtare, forcat e policisë që shkuan në vendin e ngjarjes pasi realizuan procedurat e para hetimore, arrestuan në kushtet e flagrancës me akuzën e vrasjes 79-vjeçarin Lala.
Motivi
Të njëjtat burime konfirmuan se motivi i këtij krimi brenda familjes është bërë një grindje mes bashkëshortëve, ku autori dyshohet se ka qenë në gjendje të papërgjegjshme. Me cilësinë e provës materiale policia sekuestroi në banesën e familjes Lala armën e krimit (çiften), të cilën 79-vjeçari Lala mësohet se e mbante me leje. Policia ka shoqëruar në komisariatin e zonës, Lalën për ta pyetur për detaje të mëtejshme mbi ngjarjen. Ndërkohë në fillim janë shoqëruar dhe persona të tjerë që kishin dijeni për ngjarjen duke e dokumentuar vrasjen e Sofie Lalës. Pritet që materialet t’i kalojnë prokurorisë. Më tej dosja për Selman Lalën do të mbërrijë në gjykatë ku pritet të jepet ndaj tij masa e sigurisë.
Vuante nga depresioni, vetëvritet 62-vjeçari
Një person i ka dhënë fund jetës në orët e para të ditës së sotme, duke u vetëvarur në oborrin e banesës së tij, në një fshat të Tiranës. Burime zyrtare nga Policia e Qarkut bënë të ditur për ATSH-në se sot në mëngjes është gjetur i vetëvarur shtetasi Besim Gjata, 62 vjeç, banues në fshatin Mumajes të komunës së Baldushkut, në rrethin e Tiranës. Sipas këtyre burimeve mësohet se grupi hetimor, që shkoi në vendin e ngjarjes dhe realizoi procedurat e para hetimore, konkludoi se 62-vjeçari Gjata vuante prej kohësh nga depresioni nervor dhe kjo mendohet të jetë shkaku që ai ndërmori aktin fatal. Për hetimin e plotë të kësaj ngjarjeje hetuesit e çështjes po shqyrtojnë edhe dëshmitë e familjarëve të viktimës. Ndërkohë, aktet procedurale i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Tiranës.
13 Gusht 2008