E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denoncimi, zhduket një 17-vjeçare prej 5 ditësh



DEVOLL - Një 17-vjeçare nga fshati Gracë i rrethit të Devollit që prej 5 ditësh është zhdukur nga shtëpia e saj dhe familjarët nuk dinë asgjë për të. Ajo quhet Arjana Qirizi dhe sipas njerëzve të familjes së saj ditën e premte në mëngjes ajo është larguar, duke i hipur fugonit drejt Bilishtit. Më pas familja ka pritur që të kthehet vajza, por që prej 5 ditësh nuk ka asnjë informacion për të. Ajo ishte fëmija i tretë i kësaj familje. Familja ka lajmëruar komisariatin e policisë Devoll, i cili është vënë në kërkim të 17 vjeçares, e cila ka mbaruar vitin e 3-të të shkollës së mesme në fshatin Oçisht. Sipas familjarëve, vajza nuk kishte asnjë konflikt dhe nuk kishin konstatuar të kishte ndonjë të dashur, që mund të ishte larguar me të. Policia po heton në dy pista; ajo e largimit me dëshirë nga shtëpia, si dhe mundësia e ndonjë rrëmbimi për qëllime trafikimi.

Hidhet nga kati i tretë i spitalit, vuante nga hemorragjia cerebrale

BERAT – Një i sëmurë i ka dhënë fund jetës, duke u hedhur nga kati i tretë i spitalit. Ngjarja e rëndë ndodhi në qytetin e Beratit. Burimet policore bëjnë të ditur se ditën e martë gjeti vdekjen shtetasi Sulejman Doko, banues në fshatin Lumas të rrethit të Beratit, i shtruar prej 3 ditësh në Repartin e Pathologjisë. Doko, babai i 4 fëmijëve vuante nga një sëmundje neurologjike, pas një hemorragjie të rëndë cerebrale në tru. Një ditë pas shtrimit të tij në spital, 74-vjeçari ka shfaqur edhe shenjat e para të një paralize lokale. Ngjarja ndodhi rreth orës 04:30 të mëngjesit të djeshme, kur të gjithë pacientët e dhomës Nr. 1, në të cilën ai ishte shtruar, përfshirë edhe vajzën dhe dhëndrin e tij që e shoqëronin, ndodheshin të gjithë në gjumë. Mendohet se 74-vjeçari ka dalë nga dhoma për të shkuar i vetëm në banjë, por, pas kësaj nuk është kthyer më në krevat. Policia e mbërritur menjëherë në vendngjarje është duke hetuar shkaqet dhe rrethanat e vdekjes së 74-vjeçarit. Nga burimet zyrtare bëhet e ditur se po hetohen 2 pista në lidhje me shkaqet e vdekjes së Dokos: ajo e rënies aksidentale si pasojë e ngatërrimit tek dera e dhomës me atë të dritares së madhe të korridorit që ndodheshin shumë afër më njëra-tjetrën dhe ajo e hedhjes së tij me dashje nga dritarja. Pacientët që ndodheshin në të njëjtën dhomë me 74-vjeçarin tregojnë se Sulejmani ishte një tip i qetë dhe nuk ka paraqitur në asnjë rast shenja depresioni. Ata tregojnë se askush prej tyre nuk ka qenë dëshmitar i kësaj ngjarjeje. Vetëm pas orës 05:00 ata kanë dëgjuar zhurmat e vajzës dhe dhëndrit të Sulejmanit, të cilët kur janë zgjuar e nuk kanë parë të atin në krevat kanë filluar ta kërkojnë nëpër korridoret e repartit dhe më pas kur kanë dalë në dritare e kanë parë të shtrirë pajetë përpara godinës së spitalit.

13 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›