Raporterët e BE e festimet, pastrohet Tirana nga lypsët
TIRANE - Policia e Tiranës nis fushatë spastrimi për lypsët. Ka rreth një javë që efektivët e policisë së Tiranë janë angazhuar seriozisht në një fushatë spastrimi të rrugëve të kryeqytetit nga lypsët e shumtë. Lajmin e pohojnë burime nga blutë e kryeqytetit si dhe mjaft organizma të ndryshme që kanë si objekt të punës mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Sipas policisë shkak për këtë fushatë, janë bërë një sërë evenimentesh që pritet të ndodhin në javën që nis nesër si dhe fakti që Tirana pritet të vizitohet nga raporterë të Bashkimit Europian, në kuadër të verifikimeve që ata do bëjnë në terren në lidhje me pyetësorin e dorëzuar nga Shqipëria pak javë më parë. Po kështu policia pohon se java e ardhshme pritet të jetë e ngarkuar nga festimet e shumta me rastin e 100 vjetorit të Nënë Terezës, ndërkohë që në përmbyllje të saj data 12 qershor është dita Ndërkombëtare Kundër Shfrytëzimit të të Miturve. Duke parë në kuadër të këtyre evenimenteve dhe verifikimeve të të huajve policia ka nisur prej disa ditësh largimin e lypësve nga rrugët dhe sheshet e Tiranës. Duke filluar prej një jave, policët e patrullës së përgjithshme dhe inspektorët e zonave kanë porositur vazhdimisht lypsët, kryesisht të mitur, por edhe të rritur që të mos dalin rrugëve gjatë javës së ardhshme. Në mjaft raste kur lypsët kanë kundërshtuar policët janë detyruar t'i marrin nëpër furgonë dhe t'i dërgojnë në qendra të ndryshme të trajtimit të njerëzve në nevojë. Ndërkohë disa herë policët, duke parë se lypsët largoheshin dhe i riktheheshin sërish rrugëve, janë detyruar t'i paguajnë apo dhe në raste ekstreme t'i dërgojnë nëpër qytete të tjera dhe t'i lënë aty, si psh: në Kavajë apo Elbasan. Por edhe pas kësaj ata në mjaft raste kanë mundur të kthehen sërish në Tiranë dhe të rinisin aktivitetin në rrugë. Për më tepër, pak ditë më parë disa lypës i janë drejtuar me ankesë Avokatit të Popullit duke pretenduar se janë detyruar forcërisht prej policisë të mos dalin në rrugë. fa.ma.