Sheri me policët, Alban Rexha padi për arrestin
TIRANE - Alban Rexha, personazhi i njohur i shfaqjes televizive "Kafazi i artë", i drejtohet Gjykatës së Tiranës për zëvendësimin e masës së sigurisë "arrest me burg", në të cilën mbahet që prej 26 shkurtit të këtij viti. Sipas kërkesës, Rexha i kërkon Gjykatës lehtësimin e masës së sigurisë ndaj tij, marrë për ngjarjen e 29 dhjetorit 2009, ku ai me tre shokë të tij nuk iu bindën shenjës "stop" të një patrulle policie. Të njëjtën kërkesë kanë depozituar në Gjykatën e kryeqytetit edhe personat e tjerë të arrestuar për të njëjtën ngjarje P. Serjani, S. Mejdani dhe E. Gega. Kërkesat e katër të akuzuarve për "zëvendësim të masës së arrestit" vjen vetëm pak ditë pasi Gjykata për Krimet e Rënda, kaloi dosjen në ngarkim të tyre, për kompetencë në Gjykatën e Tiranës. Pas arrestimit, hetimet ndaj katër të rinjve i hetoi Prokuroria për Krimet e Rënda, për veprën penale të "vrasjes në rrethana cilësuese, mbetur në tentativë". Gjykata për Krimet e Rënda vendosi ndaj tyre masën "arrest me burg". Në kundërshtimin e masës së sigurisë në Apelin e Krimeve të Rënda, Gjykata vendosi lënien e tyre në burg, ndërsa ndryshoi kualifikimin e veprës penale nga "vrasje në rrethana cilësuese, mbetur në tentativë" në "kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik". Bëhet e ditur se pjesë e dosjes në ngarkim të të pandehurit P.Serjani, ndodhet edhe një akt-ekspertimi i mjekësisë ligjorë, sipas të cilit Serjani është plagosur lehtë nga dy punonjës së policisë në momentin e arrestimit. Serjani iu nënshtrua ekspertimit mjekësor, pasi Avokati i Popullit i kërkoi kreut të Prokurorisë së Tiranës, fillimin e ndjekjes penale në ngarkim të punonjësve të policisë A.Gj. dhe K.B., me pretendimin se Serjani ishte keqtrajtuar fizikisht në momentin e arrestimit. ar.ba