E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklaratë për shtyp e Koordinatorit Kombëtar për çështjet me NATO-n, zotit Glori Husi

Dje, më datë 9 maj 2008, përfunduan me sukses të plotë, në selinë e NATO-s, në Bruksel, negociatat zyrtare ndërmjet Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe Republikës së Shqipërisë në kuadër të procesit të anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në NATO, dhe në përputhje me deklaratën përfundimtare te Samitit të NATO-s në Bukuresht.

Janë zhvilluar gjithsej dy raunde bisedimesh ndërmjet ekipit negociator të Qeverisë Shqiptare dhe Përfaqësuesve të Lartë të Aleancës.

Ne këto bisedime, Shqipëria u angazhua, që si anëtare e Aleancës, të mbrojë dhe promovojë parimet dhe vlerat e sanksionuara në Traktatin e Uashingtonit,  si dhe të ndajë me Aleatët të gjitha përgjegjësitë dhe detyrimet e vendit anëtar me të drejta të plota.
 
Shqipëria merr përsipër të jetë një aleate e denjë dhe luajale e NATO-s, dhe e vendeve Aleate, si dhe të japë kontributin e saj për garantimin e paqes dhe sigurisë së rajonit Euroatlantik, e më gjerë.

Përfaqësuesit e lartë të NATO-s vlerësuan qarte se ishin arritjet e padiskutueshme të reformave të thella e të gjithanshme ato që bënë të mundur marrjen e ftesës në Samitin e Bukureshtit. Ishte rezultati i këtyre reformave të suksesshme, që mundësoi mbylljen me sukses të plotë të negociatave zyrtare me NATO-n, në një kohe rekord, vetëm një muaj pas këtij Samiti.

Me mbylljen e negociatave hapet rruga për nënshkrimin e protokolleve të pranimit të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, të cilat pritet të nënshkruhen mbas dy muajsh, pra në Korrik 2008, në selinë e NATO-s ne Bruksel.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›