Gëzim Kame: “Legjendat e Teatrit në regjinë time”
Petrika GROSI
Pas njëfarë kohe pushimi, tashmë regjisori Gëzim Kame i rikthehet sërish skenës me një bashkëpunim me Kiço Blushin, që sheh si protagonist aktorin Roland Trebicka. Kjo sa i përket aktualitetit, i cili nuk është qëllim në vetvete për këtë intervistë që regjisori Kame ka dhënë ekskluzivisht për suplementin “Albania Weekend”. Ai flet për eksperiencat e tij në Teatër, problemet e sotme të skenës dhe dramës shqipe, njohjen dhe marrëdhënien me korifenjtë e skenës dhe të letrave si Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Ismail Kadare, Kasem Trebeshina etj. Gjithashtu regjisori rrëfen mbi familjen e tij, djalin që ka ecur në gjurmët e babait dhe bën aktorin në Francë, pa harruar problematikën e teatrit të sotëm shqiptar, klanet e krijuara në të dhe mungesën e jetës aktive skenike të aktorëve dhe trupave teatrore, siç ndodhte dikur.
Si lindi ideja për të vënë në skenë dramën e Kiço Blushit?
Kiço ka shkruar shumë për skenën në vitet ’70. Në një bisedë miqësore e pyeta se pse nuk i kthehej edhe një herë teatrit... Kaq u desh që pas 7-8 muajsh ai të më jepte në dorë komedinë “Kohë për t’u çmendur”.
Për çfarë bën fjalë vepra?
Kemi të bëjmë me një zbërthim social shumë interesant. Me hallet e përditshme të popullit, varfërinë e tejskajshme, emigracionin, prostitucionin, problemet e marrëdhënies mes shtetit dhe individit tek ne dhe ardhjen e atyre të huajve që dështojnë në vendin e vet dhe vijnë e hiqen si të mëdhenj në vendin tonë. Subjekti bën fjalë për një familje, burri, gruaja dhe vajza, e cila sapo ka ardhur nga Greqia me një grek totalisht të degjeneruar, që pretendon të investojë në qytezën e vogël ku ka ardhur. Ndihet servilizmi i qytetit ndaj tij, i njerëzve, i kësaj familjeje...
Pra kemi të bëjmë me një komedi që prek, mes të tjerash, kompleksin e inferioritetit që shqiptarët shfaqin ndaj të huajve?
Në fakt kemi të bëjmë me një komedi dramatike që e trajton problemin shumë më gjerë. Nga këto plagë të shumta të shoqërisë sonë, që janë kaq të shumta, njerëzit kanë nisur të flasin me vete. Ka një neurozë kombëtare, ndaj dhe njeriu i varfër, që mundohet të jetë i ndershëm dhe ta fitojë bukën me djersën e ballit në shoqëri, quhet i prapambetur, anormal etj. Sa i takon kompleksit të inferioritetit ndaj të huajve, kohët e fundit mentaliteti ka ndryshuar edhe tek ne, sidomos te emigrantët, intelektualët, te shtresa e politikanëve, administratës etj.
Nëse flasim për regjinë, çfarë gjetjesh sillni me këtë pjesë?
Nuk kemi të bëjmë me ndonjë gjetje të madhe regjisoriale. Si vepër skenike kjo shfaqje ka marrë përmasat e një vepre artistike, veç spektaklit. Karakteret janë të vizatuara saktësisht, skenografia është në unitet me filozofinë e veprës, madje disi moderne, sepse ka shumë frymëmarrje. Gjithë koncepti regjisorial ndërtohet në këtë spektakël në lëvizshmërinë, mizanskenën, ritmin e të gjitha ngjarjeve. Ka një ndarje si me mur kinez, afër fundit të shfaqjes, mes komedisë dhe dramës sociale. Kjo vjen e qëllimshme sepse mua më duhet edhe e qeshura e fuqishme, por edhe loti i spektatorit që vuan dhe vajton problemet e përditshme.
Pse zgjodhët pikërisht aktorët Roland Trebicka, Raimonda Bulku e Zamira Kita?
Roland Trebicka mban peshën kryesore, ndërsa gjashtë aktorët e tjerë; Zamira Kita, Raimonda Bulku, Marko Bitraku, Petrika e Ligoraq Riza dhe Alban Prodani, janë rolet e dyta, që përbëjnë atë mozaik karakteresh të spektaklit, që ndihmon në zbërthimin e filozofisë së veprës.
Pa dashur të përmendim ndonjë eksperiencë jo të mirë të aktorit tuaj kryesor në pjesë me drama të forta sociale, a nuk ju shqetëson ideja që një aktor komik të vihet në një rol që ka edhe nota të theksuara dramatike, sikundër thatë më parë?
Trebicka, në fillim, në pozicionin e tij, ka qenë aktor dramatik, por nga zbërthimi i jashtëzakonshëm i Jovan Bregut te “Pallati 176” nisi të merrej si aktor i profilit komik. Dua të them se edhe anën dramatike ky personazh e ka shumë të thellë. Aktori e mbart konceptin dhe di si ta realizojë. Për këtë jam i bindur.
Kur themi Kasem Trebeshina, çfarë ju vjen ndër mend?
Kasem Trebeshina është një autor tepër interesant dhe i veçantë, me një individualitet të theksuar. Në thelbin e tij ka një lloj teatri që tek ne nuk njihet mirë nga dramaturgët. Ai luan shumë me absurdin. Mjaft regjisorë e lexojnë, kënaqen me veprën e tij, por kur vjen fjala për ta vënë në skenë, i tremben. Unë kam realizuar dy shfaqje shumë interesante të tij, siç ishin “Tiranosauri” dhe “Muzeu”, vepra shumë interesante.
A nuk të krijohet përshtypja sikur ky autor mbahet larg teatrit?
Nuk është dhe aq faji i teatrit si institucion, sesa i regjisorëve, që janë të pazotët për ta vënë në skenë veprën e Trebeshinës. Kemi pak regjisorë dhe pak teatro. Regjisorët e rinj përgjithësisht merren më shumë me veprat e huaja, pasi është më e lehtë për ta që të merren me pjesë të konsoliduara, të cilat kanë një histori të njohur. Veprat e reja të autorëve tanë janë të virgjëra dhe kjo sjell vështirësi të mëdha në vënien e tyre. Për vete kam punuar shumë me dramat shqiptare, madje kam pasur edhe vërejtje nga miq e kolegë, që më kanë thënë të merrem edhe me ndonjë autor të huaj.
Shpesh të rinjtë ankohen se nuk u hapet vendi nga aktorët e vjetër. Po kur të vjetrit harrohen, ç’do të thoshit?
Mosintegrimi i të rinjve, duke qenë pedagog prej 3 dekadash në Akademinë e Arteve, është një plagë që më dhemb, ndërkohë edhe plejada tjetër e aktorëve me shumë eksperiencë nuk mund të anashkalohet. Pastaj edhe në profesionin tonë ndërtohen klane, marrëdhënie pak familjare. Mbase në disa raste edhe unë nuk duhej të kisha marrë aktorë të plejadës së vjetër, ndërkohë që mund të kisha gjetur mjaft të rinj.
E vutë theksin e krizës së Teatrit te regjia. Nuk e di si e shikoni rastin “Albert Minga”; një regjisor i televizionit vjen në Teatrin Kombëtar dhe del më i suksesshmi ndër të gjithë?
Është një rast i veçantë. Por Minga është një regjisor që nuk ka lënë shfaqje pa ndjekur në Teatër. “Filumena Marturano” dhe “Pamje nga ura”, në vitet kur Alberti ka qenë student viheshin shpesh në skenën tonë, me shumë emocione. Pjesë të tilla për regjisorët e vjetër kanë filluar të zbehen në psikikën dhe dëshirat e tyre. Megjithatë, rasti i Mingës është i veçantë, sepse e kanë provuar edhe të tjerë të njëjtën gjë, pa ia dalë mbanë. Kur ka një kulturë, nuk ka ndonjë diferencë të madhe mes regjisorit të teatrit dhe atij të televizionit.
Cilat janë disa nga emrat e mëdhenj të skenës që kanë lënë gjurmë në jetën dhe profesionin tuaj?
Pa dyshim që emra të mëdhenj në shkollën tonë ka pasur plot. Mund të përmend Kujtim Spahivoglin, Mihallaq Luarasin, që për fat të jeton dhe sot, Drita Agolli, Pirro Mani, Andon Pano, i cili nuk jeton më, Pandi Stillo, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Sandër Prosi, Drita Pelingu etj. Më tej dolën një grup pedagogësh që ishin më afër kohës, më shumë europianë në ide, shije dhe teorinë e tyre. Një kontribut të madh në këtë drejtim ka dhënë i ndjeri Vangjush Furxhiu, apo aktori Timo Flloko, Vera Zheji, Birçe Hasko etj. Këta i dhanë një kthesë të fuqishme shkollës pas viteve ’70. Kam një shembull konkret; në ’97-n ishim me “Apologjinë e Sokratit” dhe Mirush Kabashin, në Festivalin e Kajros në Egjipt, ku Kabashi u vlerësua si aktori më i mirë. Dekani i Teatrit të Akademisë së Arteve të Italisë thotë: “Nuk u çudita për aktrimin, po ç’është kjo shkollë kaq e veçantë që keni ju?”
Ndërsa në Europë, madje edhe në Ballkan, shohim profile të ndryshme teatrosh, si teatri shekspirian, teatri brehtian, teatri i simbolikës, teatri i absurd etj., në Shqipëri kemi veç një Teatër Kombëtar, që mundohet t’i realizojë të gjitha duke mos krijuar dot asnjë fytyrë të tij. ǒmendoni mbi këtë fenomen?
Keni të drejtë, pyetje e zgjuar! Teatri profesionist tek ne lindi vetëm në ’45-n dhe u formua nga shteti pa pasur ndonjë eksperiencë të mëparshme. Aktualisht ne vazhdojmë të kemi të njëjtin teatër shtetëror dhe po ata artistë që varen nga rrogat e shtetit, apo që kanë hyrë në këtë institucion me urdhrat Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, për të mbetur dhe sot e kësaj dite. Në këtë drejtim nuk ka si të ketë shumë fytyra teatri. Individualitetet, konkurrencën dhe ngjyrat i jep teatri privat. Ai nuk diktohet nga shteti. Po të shkosh në Teatrin Kombëtar dhe të duash të vësh një teatër absurd, ndryshe nga normalja, atëherë nuk do të dojë bordi, se do të thotë që vallë e kupton spektatori... Përveç sallës së Teatrit Kombëtar, Teatrit të Operas dhe Baletit dhe Akademisë së Arteve në Tiranë, nuk ka asnjë skenë tjetër të hapur për artistët dhe publikun. Pastaj kemi humbur disa gjëra të mira që ishin para viteve ’90. Atëherë qarkullonte vlera në të gjithë vendin, kurse sot turnetë janë thuajse sporadikë, ndërkohë që kemi një spektator të etur për shfaqje dhe që e njeh skenën. Në një emision në TV pashë gazetarin amerikan që pyeste njujorkezët se kush është Shekspiri, Hamleti etj., dhe në 10 veta 8 prej tyre nuk e dinin. Në Shqipëri vështirë të gjesh njeri që nuk e njeh minimalisht Shekspirin.
Le të kthehemi pak në të kaluarën; momenti më i vështirë në jetën tuaj...
Në krijimtari, se në jetën e përditshme nuk kam pasur peripeci si të tjerë, burgosje, internim... Ishte viti ’89 kur vura në skenë një shfaqje që titullohej “Shkallët”, të Ruzhdi Pulahës. Ishte një novacion, eliminova skenën në Teatrin Kombëtar dhe spektatorin e hipa në skenë. Qe një ring me problemet e ditës, varfëria, problemet e shumta të atyre viteve, qe një shfaqje tepër e guximshme. Pothuajse të gjithë aktorët e TK-së merrnin pjesë në atë vepër dhe pati jehonë të madhe, por Ministria e Kulturës e ndaloi menjëherë për gati nëntë muaj atë vepër. Në një sallë të madhe para 200 vetash u bë një ballafaqim për këtë vepër. Ishte i pranishëm edhe Kadareja, bashkë me personalitete të tjera. Aty pashë gazetarë, njerëz kurajozë, të cilët kanë folur duke thënë se është një vepër që godet dhe bën shumë mirë që godet.
Po Kadareja si reagoi ndaj shfaqjes suaj në atë mbledhje?
Kadareja, nganjëherë cinik ndaj asaj shtrese që është regresive, ngrihet dhe u thotë përfaqësuesve të shtetit: “T’ju vijë turp që na keni mbledhur! E çfarë godet kjo? Për mua kjo vepër godet mesatarisht. Është turp që të ndalohet!”. Pa dyshim ai ishte largpamës në çdo gjë dhe mik i madh i teatrit.
Keni provuar ta vini në skenë Kadarenë?
Posi jo. Madje para pesë vitesh kam vënë të vetmen vepër të shkruar direkt për skenën nga ai, e cila titullohet “Stinë e mërzitshme në Olimp”. Kadareja më mori nga Parisi në telefon dhe më tha se kishte bërë një vepër që donte t’ia vija në skenë. Pa e lexuar fare veprën i dhashë menjëherë përgjigje pozitive dhe punova tre vjet për realizimin e kësaj vepre.
A është komode të punosh me artistë të mëdhenj si Kadareja?
Nuk ka më komod sesa Ismail Kadareja për të bashkëpunuar. Shumë romane dhe tregime të shkruara prej tij janë kthyer skenike dhe askush nuk ka pasur problem me shkrimtarin. Kadareja nuk është agresiv. Ai nuk të thotë asnjë fjalë dhe e respekton logjikën krijuese të njeriut që punon me veprën e tij deri në fund. E pëlqen apo jo rezultatin, në fund është tjetër gjë.
Do të bashkëpunoni sërish me Kadarenë?
Ai ka thënë se ishte vepra e fundit që bënte për skenën, megjithatë nuk i dihet...
Jeni regjisori i fundit që pati fatin të kishte për herë të fundit aktorin e madh Sulejman Pitarka në skenë...
Kur trajton pyetje të tilla ka edhe një dhimbje brenda, pasi ai nuk është më mes nesh. Megjithatë, kujtoj gjithmonë gjërat më të bukura nga ky aktor dhe njeri i madh; në moshën 82-vjeçare aktori u ngrit nga shtrati i vdekjes për të dhënë gjithë kontributin e tij të fundit. Kishte një energji të paimagjinueshme. Vinte dy herë në ditë në Teatër për prova. Binte shi, nuk binte shi, ftohtë apo ngrohtë, ai nuk pyeste. Madje edhe kur i afronim ngrohësen thoshte: “Hiqeni, dua edhe unë të trajtohem njësoj si gjithë të tjerët. Jam këtu sepse jam artist dhe kam ardhur të komunikoj me publikun tim”. Kishte një ndërgjegjësim të jashtëzakonshëm duke nisur që nga respektimi i orarit, punës në grup, deri te të qenit tolerant, modest dhe bashkëpunëtor me të tjerët, pavarësisht emrit të tij të madh. Për të mos folur pastaj për kujtesën e tij të fortë, interpretimin e mrekullueshëm dhe një logjikë të kristaltë në drejtim të gjithçkaje që mbart personazhi i tij para spektatorit.
ǒdo të thoshit për familjen tuaj?
Familja përbëhet nga gruaja Antoneta, e cila ka mbaruar shkollën njëkohësisht me mua, por për gjuhën frënge. Kemi dy fëmijë; Gerti, që është 35 vjeç dhe ka mbaruar në Paris Shkollën e Artit Dramatik. Është aktor filmi dhe luan në Francë, Itali, Zvicër e Marok. Ka xhiruar rreth 24-25 filma. Është i fejuar me Xhesikën, sekretare dhe balerinë në një nga teatrot e rëndësishëm privat në Paris. Gjithashtu jetoj me nënën time, që e dua fort dhe me vajzën, Jonën, e cila ka mbaruar Shkencat Politike dhe punon si specialiste në Ministrinë e Integrimit.
A ju vjen keq për këtë shkëputje të djalit tuaj nga familja?
Është bërë tashmë e zakonshme kjo gjë, sepse ai u largua nga ne që në moshën 18-vjeçare për të vazhduar studimet jashtë. Megjithatë, mbetet një djalë jashtëzakonisht i mirë për familjen; thuajse çdo mbrëmje na telefonon, vjen gjashtë herë në vit në Shqipëri dhe qëndron gjatë kur ka pushime. Përveç kësaj, takohemi shpesh në premierat e tij, pasi ne shkojmë ne aty dhe e ndjekim.
Thatë se djali juaj ka luajtur në 25 filma. Me thënë të drejtën, nuk tingëllon fort i njohur si aktor, pse kjo mungesë fame?
Në vendin tonë nuk ka krijimtari, ndaj ndodh një gjë e tillë. Ai ka bërë vetëm një film me metrazh të shkurtër në Shqipëri, për një djalë të ri, të birin e regjisorit Ibrahim Muça. Për çudinë tonë, një nga televizionet private këtu, mund të ketë dhënë kohët e fundit mbi pesë a gjashtë filma të blera në Itali, ku Gerti interpreton mes aktorëve të tjerë.
28 Shkurt 2009