E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti, 2/3 e parave që emigrantët sjellin në Shqipëri përdoren për bukën e gojës

Kursimet mesatare nuk i kalojnë 800 euro në vit, maksimalja 2300 euro. 50% e të ardhurave janë mujore, 75% të parave për ushqime, luksi nuk ekziston

Erald Kapri

Një nga burimet kryesore të të ardhurave në Shqipëri janë të ardhurat që vijnë nga emigrantët shqiptarë. Ekspertë dhe politikanë i cilësojnë ato si fryma e ekonomisë, por edhe si motori i ekonomisë si mjet për investime. Një raporti i bërë nga shoqata “Shpresë për të ardhmen”, i financuar nga Bashkimi Europian, ku kanë punuar disa nga ekspertët më të mirë shqiptarë, nuk pajtohen me idenë e mësipërme, që këto të ardhura janë motor ekonomik. Sipas të dhënave të Raportit, në të cilin janë mbledhur gjatë vitit 2007, dy të tretat e dërgesave të emigrantëve shkojnë thjesht për konsum të përditshëm, nga të cilat 75 për qind vetëm për ushqime. Raporti përdor burime zyrtare si INSTAT-i dhe nga Banka Botërore, por në themel të të dhënave janë intervistat me 200 familje shqiptare nga Tirana dhe Kavaja, të cilat kanë një pjesëtar të familjes të emigruar jashtë vendit. Të dhënat flasin se 20 për qind e familjeve në Shqipëri kanë të paktën një pjesëtar të tyrin të emigruar jashtë.
Jetesa
Po sipas këtij raporti, të ardhurat e emigrantëve janë si kompensim për të përballuar jetesën, pasi familja ka marrë pagat, asistencat apo burimet e tjera në aktivitet. Po sipas investigimit të dërgesave, gjysmat e tyre vijë në Shqipëri gjatë një periudhë njëmujore, në formën e një page mujore. Të dhënat e tjera nuk janë shpresëdhënëse. Vetëm 54.5 për qind e familjeve arrijnë të kursejnë nga të ardhurat që sjellin familjarët e tyre, por që kjo shifër e kursyer në një vit nuk është më e lartë se 2350 euro në vit. Mesatarja e përgjithshme nuk i kalon 800 eurot në një vit dhe me këtë shumë, mundësia për të kryer një investim është e pamundur. Të ardhurat e emigrantëve duket se shkojnë për të mbajtur frymën gjallë dhe me to nuk mund të bësh një jetë më shumë se normalja dhe ku luksi, sado i pakët, pothuaj nuk ekziston për këto familje, edhe pse pjesëtarët e tyre punojnë me vite në vështirësi jashtë vendit.
Raporti
Irena Dono, drejtoreshë Ekzekutive e Shoqatës, shprehet se të dhënat e raportit janë mbledhur nga ekspertët më të mirë në vend dhe përfundimet e tij janë hartuar në Itali. Projekti është financuar nga Bashkimi Europian dhe për të kanë ndihmuar 14 donatorë të huaj me mbështetjen e tyre. “Raporti ka detajuar çdo aspekt të një emigranti. Janë intervistuar 200 familje shqiptare”, - shprehet për “Albania”-n Irena Dono. Studimi i këtij raporti ka qenë më kompleks se kaq. Ai ka kërkuar të zbardhë dhe të hulumtojë ndikimin e emigrimit në kontekstin shoqëror në ambientin urban dhe rural të Tiranës dhe Kavajës. Raporti fokusohet në disa drejtime, ku së pari merret me lidhjen e fluksit të emigrimit dhe ndryshimeve në strukturën familjare, dhe nga ana tjetër në matjen e kontributit aktual që diaspora jep për vendin e origjinës. Raporti ka studiuar kohëzgjatjen e migrimit, përdorimin e të ardhurave, përbërjen e familjeve, të ardhmen për këto familje dhe të emigrantëve që ndodhen jashtë. Analizimi prek prirjet e emigrantëve për t’u kthyer në atdhe si dhe tendenca e shqiptarëve për të emigruar jashtë. Të dhënat flasin për optimizëm, por edhe për probleme të ndryshme që herë pas here mund të krahasohen me fjalën “paradoks”. Raporti përcakton se marzhi i gabimit që mund të kenë shifrat e nxjerra nuk është më i lartë se 7 për qind. Pra mundësia e gabimit për vërtetësinë e të dhënave është vetëm 7 për qind.

Si shpenzohen të ardhurat, dendësia e tyre dhe ndikimi në jetën e përditshme

Raporti ka përcaktuar, në bazë të intervistave me familjet shqiptare, se të ardhurat mujore të një familjeje me një pjesëtar të vetin emigrant arrijnë në 553 euro në muaj. Sipas të dhënave, këto të ardhura përbëjnë vetëm 22% si e ardhur nga emigrimi, ndërsa pjesa tjetër është e ardhur nga aktiviteti në Shqipëri. Duket se shqiptarët me të ardhurat që përfitojnë nga emigrimi, kompensojnë rritjen e kostos së jetesës në Shqipëri. Sipas të dhënave, rreth 60 për qind e të ardhurave vijnë nga puna në Shqipëri, por që këto të ardhura nuk mjaftojnë për të përballuar jetesën. Nga ana tjetër raporti vëren se familjet urbane kanë pjesëtarët e tyre të aftë për punë më së shumti në Shqipëri, ndërsa e kundërta është me familjet rurale. Kjo shpjegohet me mundësinë më të madhe për t’u punësuar në zonat urbane si Tirana. Analiza e të dhënave mbi shpenzimet familjare tregon se pjesa më e madhe e shpenzimeve shkon për ushqime dhe pjesa tjetër për arsimimin dhe kujdesin shëndetësor. Në këtë pikë jeta e luksit, si dreka jashtë shtëpisë apo daljen për argëtim, janë të limituara sipas rasteve përkatëse. Rezultatet tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e buxhetit familjar, gati 75 për qind e tij, shkon për ushqime dhe totali për arsimin dhe shëndetin kap rreth 15 për qind të të ardhurave.

E frikshme, vetëm 1 për qind e të ardhurave shkon për aktivitet biznesi

Raporti detajon mënyrën e menaxhimit të të ardhurave të familjeve të emigrantëve. Nëse të ardhurat apo kursimet mund të përdoreshin për të investuar, kjo nuk ndodh kështu me emigrantët shqiptarë. Sipas të dhënave, 3.4 për qind të të ardhurave shkon për restaurime të shtëpive dhe vetëm 1 për qind e tyre tentohet që të shkojë për biznes. Familjet e intervistuara kanë nxjerrë në përfundimin se vetëm 34.5 për qind e tyre arrin të kursejë dhe shifra mesatare e kësaj kategorie nuk i kalon 2350 eurot në një vit. Raporti cilësoj se po ta llogarisim si mesatare të përgjithshme, kursimi është vetëm 812 euro në vit. Nëse bëhet vlerësimi i të dhënave sipas lidhjes në përqindje ndërmjet të ardhurave totale të familjeve dhe sasisë së kursyer, kursimet e lëna mënjanë kapin vlerën mesatare 12.2 për qind të të ardhurave në vit. Kjo prirje shkon në 26 për qind të të ardhurave në rast se llogarisim vetëm grupin e familjeve që kursejnë. Me shifra të tilla një aktivitet biznesi pothuaj është i pamundur. Në logjikën e thjeshtë, duhen vite të tëra kursimi që të krijohet një masë financiare e nevojshme për të hapur minimalisht një biznes të vogël.

12 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›