E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liberalizimi i vizave kërkon projekt për riintegrimin e emigrantëve në atdhe



Shoqata “Shpresë për të ardhmen”, në një aktivitet të saj ka nxjerrë si konkluzion se tashmë do të hyjmë në një marrëdhënie të re me emigrantët. Deri në këto momente ka lulëzuar emigrimi i paligjshëm, por me liberalizimin e vizave, domosdoshmërish kërkohen projekte nga shteti shqiptar për riintegrimin në shoqëri të të kthyerve. Gazetari dhe kryetari i kësaj Shoqate, Arben Muka, është shprehur se iniciativa të tilla janë me tepër rëndësi në ditët e sotme. “Fenomeni i emigracionit tashmë nuk është i ri për Shqipërinë. Fillesat e këtij emigracioni të ri janë qysh në vitin ’90 dhe problemet e lindura prej migrimit të paligjshëm janë të mëdha. Unë do të thosha se me hapjen e negociatave për hyrjen e Shqipërisë në BE dhe me nënshkrimin e marrëveshjeve të ripranimit të emigrantëve të kthyer mes qeverisë sonë dhe BE-së del si domosdoshmëri hapja e sa më shumë projekteve të riintegrimit për të riatdhesuarit nga këto vende. Në këtë kuadër mund të themi se pa interesimin e drejtpërdrejtë të qeverisë dhe të pushtetit vendor, kontributi i OJF-ve vendase do të jetë i fragmentarizuar dhe i pandjeshëm sa duhet në realitetin e ashpër, që pak shanse u ofron të rinjve të riatdhesuar”, - është shprehur Muka.

Optimizmi shpresëdhënës, vetëm 8% nuk kërkojnë të kthehen në atdhe

Sipas të dhënave të raportit është evidentuar një optimizëm i shqiptarëve emigrantë. Rreth 35 për qind e familjarëve kërkojnë që të bashkohen me familjarët e tyre jashtë vendit, nga të cilët vetëm 8 për qind e shohin të ardhmen e tyre jashtë. Raporti cilëson se 18 për qind e të intervistuarve kërkojnë që të shkojnë jashtë vendit, por për arsye objektive nuk munden, si p.sh. problemi i vizave. Vetëm 8 për qind të total e lidhin të ardhmen e tyre jashtë atdheut dhe për më tepër emigrimi shihet si një perspektivë jo përfundimtare. Ndoshta e vetmja gjë interesante që është vënë re është fakti që pjesa kë kërkon të kthehet në Shqipëri përfundimisht, 6 për qind e tyre, vendosin para mënjanë, që mund t’i përdorin për të nisur ndonjë aktivitet ose biznes. Është vënë re se gjysma e të emigruarve nga Tirana kërkojnë që të jetojnë jashtë vendit. Gjithsesi, rreth 28 për qind e të intervistuarve parapëlqejnë që të ardhmen e tyre ta shohin në bazë të mundësive.

12 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›