Raporti, 26 depot që furnizuan Gërdecin
Kamionët e ushtrisë bënin qindra kilometra rrugë për të furnizuar fabrikën e demontimit të Mihal Delijorgjit
Tonelatat e municionit që shkaktuan tragjedinë u siguruan nga Gjegjani i Kukësit në depot e Voskopojës
TIRANË- Shtimje, djegore, municion topi, artilerie, raketash. Ç'ka kishte ushtria, qe edhe e Gërdecit, deri para shpërthimit apokaliptik të 15 marsit. Brenda një sistemi ushtarak, ku urdhrat zbatohen pa u vënë në diskutim, furnizimi i ethshëm i punishtes së Gërdecit hapi portat e çdo depoje apo reparti ushtarak në të katërta anët e vendit. Varganë kamionësh ushtarakë ktheheshin aty, në Gërdec, pas rrugëtimesh të gjata nga Kukësi, Skrapari, Korça, Burreli, Tepelena apo rrethe të tjera ku prej dekadash mbaheshin stok tonelatat e municionit të trashëguar nga komunizmi. Kamionët mbusheshin me predha dhe municion të rrezikshëm, udhëtonin ndanë qindra shtëpi banorësh, anë e kënd Shqipërisë, ecnin për disa kilometra në autostradë derisa merrnin kthesën drejt oborrit të fabrikës së Delijorgjit, ku i prisnin burra, gra e fëmijë, të gatshëm për të plotësuar normën ditore. Një proces i gjatë ky në kohë dhe kilometra, për të cilin nuk zbatohej asnjë masë sigurie, asnjë rregullore. "Ligji" i tonelatave ishte fuqiplotë në Gërdec.
***
Pas shpërthimeve që u morën jetën 22 personave dhe plagosën qindra të tjerë, opinioni publik u përball me "ngritje supesh" nga zyrtarët e Ushtrisë Shqiptare, Shërbimeve Informative e deri tek ministrat apo kryeministri. Por procesi i furnizimit të fabrikës së Gërdecit nuk linte hapësirë për mungesë informacioni. "Shekulli" ka siguruar raportin e transportit të municioneve nga depot e ushtrisë drejt fabrikës së Gërdecit, nga data 5 janar deri më 14 mars, një ditë para tragjedisë. Sinanaj-Gërdec, Krujë-Gërdec, Vërtop-Gërdec... Itinerari i kamionëve të ushtrisë, në ditët e para të janarit ka qenë disi më i përqendruar.Javën e parë të janarit, kur administratori i fabrikës, Mihal Delijorgji sapo kishte marrë miratimin e dytë nga Ministria e Mbrojtjes për të vazhduar i qetë punën, në Gërdec janë shkarkuar deri në 100 ton municion në ditë, që vinin nga depot ushtarake në Fier, Berat dhe Krujë. Pas kësaj jave, harta e depove që morën urdhër të furnizonin me municion fabrikën e demontimit në Gërdec u zgjerua.
***
Gjatë dy muajve të tjerë, drejt Gërdecit do të shkarkoheshin tonelata të tëra municioni, që vinin nga depot e ushtrisë së Kukësit, Matit, Shkodrës, Tiranës, Elbasanit, Korçës, Përmetit, Skraparit. Municioni u sigurua prej ndërmarrjes MEICO në më shumë se 26 depo, të shpërndara në fshatra të rretheve të ndryshme në vend. Ushtarakë të këtyre depove dhe eprorët e tyre u vunë në dispozicion të fabrikës së Mihal Delijorgjit dhe kamionët e ushtrisë bënin po me karburantin e ushtrisë qindra kilometra rrugë, për të çuar municionet në destinacion. Lëvizjet e qindra kamionëve me municion, ditën për diell, drejt fabrikës së Gërdecit e kanë kthyer këtë zonë tashmë të shkretuar, për disa muaj me radhë në epiqendrën e ushtrisë shqiptare. Urdhrat e furnizimit të kamionëve, njësoj si edhe raportet për transportimin e municioneve ishin të detyrueshme të kalonin në disa tavolina ushtarakësh të lartë, e parashikuar kjo me ligj. Megjithatë, Gërdecin, këtë fshat kaq pranë Tiranës askush nuk e njihte, deri para shpërthimit që i tronditi të gjithë....
DEPOT QË FURNIZUAN GËRDECIN
Sinanaj, në Fier
Depoja e Krujës
Vërtop, në Berat
Dhëmblan, në Tepelenë
Shmil, në Elbasan
Labinot, në Elbasan
Melgush, në Shkodër
Macukull, në Mat
Lozhan, në Korçë
Bigaz, në Skrapar
Depoja e Ndroqit
Gjegjan, në Kukës
Qafë-Shtamë, në Burrel
Qafë-Mollë, në Tiranë
Bratil, në Gramsh
Mirakë, në Elbasan
Mbrezhdan, në Përmet
Bushat, në Shkodër
Zall-Herr, në Tiranë
Depoja e Laçit
KMR e Korçës
Depoja e Voskopojës
Tragjedi pas tragjedie
Dhëmbani furnizoi Gërdecin me predha
TIRANË- Shpërthimi i depos në Dhëmblan të Tepelenës, dy vjet të shkuara, do t'u kishte mjaftuar zyrtarëve shqiptarë për të marrë masat që e njëjta histori të mos përsëritej. Por kujtesa e shkurtër i ka çuar sërish në Dhëmblan, këtë herë për të furnizuar me municionet e pashpërthyera një tjetër tragjedi. Në raportin e siguruar prej "Shekullit" për transportin e municionit drejt Gërdecit thuhet se në Dhëmblan janë ngarkuar 150 ton municione, në datat 14, 15 dhe 16 janar. Predhat e Dhëmblanit janë shkarkuar në Gërdec, për të shpërthyer 2 vjet pas incidentit të parë, por duke shkaktuar një tragjedi njerëzore me përmasa shumë më të mëdha.Gërdeci është furnizuar me municione edhe nga reparti ushtarak i Zall-Herrit, KMR-ja e Korçës apo depoja e armative në Bushat të Shkodrës.Tonelatat e municioneve që janë shkarkuar aty demontoheshin më së shumti nga banorë të zonës, të pakualifikuar, mes të cilëve kishte shumë gra dhe fëmijë.Në Gërdec as që bëhej fjalë për kushte sigurie, ndërkohë që zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes tentuan ta paraqesin punën e bërë aty si çështje të një kompanie private.
Raporti/Kamionët e ushtrisë shkarkonin tonelata municion në Gërdec. Kontrata ishte e parashikuar me copë
Në Gërdec, mbi 100 ton municion në ditë
TIRANË- Qeveria shqiptare vuri në dispozicion të kompanisë së Mihal Delijorgjit8765 ton municion, për vetëm 582 mijë dollarë. Këto janë kushtet e kontratës së dytë të firmosur nga MEICO për llogari të kompanisë "Albademil" me administrator Mihal Delijorgjin, kur në kontratën e parë, kompanisëiu vunë në dispozicion rreth 2 mijë ton më pak municione, për trefishin e vlerës. Duke u bazuar në kontratën e dytë me firmë të dyshimtë, që Ministria e Mbrojtjes vuri në dispozicion të medias, në Gërdec duhej të çoheshin 1 milion e 335 mijë predha, por sipas raportit të transportimit të municioneve drejt Gërdecit, që "Shekulli" ka siguruar, është e pamundur të verifikosh një fakt të tillë. Përkrah çdo ngarkese është e shënuar data dhe vendi nga ku është siguruar municioni, por gjithçka tjetër matet me peshë. "55 ton shtimje, 40 ton municion 122 mm, 40 ton municion AKA 37 mm" janë disa nga ngarkesat që u shkarkuan në fabrikën e vdekjes, në fillim të janarit, por askund nuk është shënuar sesa copë predha i janë dorëzuar kompanisë, siç shënohej në kontratë.
***
Të dhënat e mësipërme për furnizimin e fabrikës së Gërdecitevidentojnë se rreth 41 për qind e të gjithë municioneve që kanë dalë nga depot e ushtrisë, që prej vitit 2005 deri në shkurt të vitit 2008, kanë patur destinacion fabrikën e vdekjes në Gërdec. Ndërsa sa i përket ngarkesave, në Gërdec shkarkoheshin mesatarisht mbi 100 ton municione në ditë, që vinin nga rrethe të ndryshme në vend. Sipas raporteve të Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë viteve 2005-2008 janë asgjësuar gjithsej 37287ton municion, ku rreth 15 251 ton armë të ndryshme, që janë përfshirë në këtë tregti dhe që kanë kaluar përmes fabrikës së Gërdecit.
***
Viti 2007 dhe ai 2008, kanë përjetuar një lulëzim të vërtetë të tregtisë së vdekjes. Gjatë kësaj periudhe jo vetëm që drejt fabrikës së Delijorgjit kanë shkuar një sasi tepër e madhe armësh, në krahasim me periudhën 2005-2008, por gjatë kësaj periudhe, në drejtim të Gërdecit kanë shkuar një sasi tepër e madhe e municioneve që ndodhen në depot e ushtrisë. Duke mos patur asnjë lloj kapaciteti dhe mundësi teknologjike dhe magazinimi të këtyre municioneve, ndodhi edhe tragjedia e 15 marsit, e cila solli një numër të madh viktimash të pafajshme. Gjysma e sasisë së municioneve, firmosur në emër të "Southern Ammunition Company", por që në realitet ishin në dispozicion të "Alb-Demil" ishin fishekë të kalibrit të vogël, armatim që përdoret për armët e lehta. Ndërsa predhat e kalibrit të rëndë kanë hyrë në fabrikë në fillim të janarit, deri një ditë para tragjedisë. Këto ishin pikërisht edhe municionet që po demontoheshin në mënyrën më primitive të mundshme, gjatë muajve të parë të vitit 2008, duke kulmuar me tragjedinë e shkaktuar nga një shpërthim me një fuqi atomike.
"Albademil"
Totali i municioneve 37 287 ton (vitet 2005-shkurt 2008)
Southern Ammunition Company6 486 t në vitin 2007
Southern Ammunition Company 8 765 t për vitin 2008
Totali = 15 251 ton