Gërdeci, 16 hetues për zbardhjen e tragjedisë
Prokurorja e Përgjithshme cakton tre prokurorë të Përgjithshëm dhe dy prokurorë të Tiranës për hetimin e ngjarjes
TIRANË- Tragjedia e Gërdecit do të hetohet nga një grup prej 6 prokurorësh dhe 10 oficerësh të policisë gjyqësore. Kryeprokurorja Ina Rama ka caktuar dje emrat e prokurorëve që do të hetojnë shpërthimet në Gërdec, duke pohuar se kjo dosje do të hetohet në Prokurorinë e Përgjithshme. Sipas njoftimit zyrtar të zëdhënëses së kryeprokurores, Holta Zhiti, njoftohet delegimi i gjashtë prokurorëve dhe 10 oficerëve që do të merren me hetimin në vijimësi të kësaj çështjeje, ku në listën e publikuar mungojnë prokurorë nga Krimet e Rënda. Pas katër ditësh "studimi" të dosjes nga kryeprokurorja Rama, kjo e fundit ka caktuar grupin e hetimit, që do të kryesohet nga drejtori i Drejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale, Zamir Shtylla.
***
"Pas kalimit të dosjes, ku është hetuar ngjarja e Gërdecit nga grupi i hetimit të Prokurorisë së Tiranës, Prokuroria e Përgjithshme, institucion kompetent ky për hetimin e çështjeve ku janë të përfshirë persona me imunitet, ka përcaktuar tashmë edhe grupin e prokurorëve që do të merren me hetimin në vijimësi të kësaj çështjeje",-thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit pranë kryeprokurores Ina Rama. Sipas këtyre burimeve, në krye të grupit hetimor është prokurori Zamir Shtylla. "Në përbërje të grupit hetimor, përpos drejtorit të Drejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale, janë edhe tre prokurorë të tjerë, që kryejnë detyrën e prokurorëve pranë Prokurorisë së Përgjithshme dhe dy prokurorë të deleguar nga Prokuroria e Tiranës, njëri prej të cilëve është Arben Dollapi, i cili ishte për dy javët e hetimit të çështjes pjesë e grupit hetimor të prokurorisë së rrethit që ka mbuluar vendin e ngjarjes",-thuhet nga burimet pranë organit të akuzës. Ndërkohë, pjesë e grupit hetimor si asnjëherë më parë, janë caktuar 10 oficerë të policisë, të ardhur nga radhët e Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë së Tiranës, seksionit të Task-Forcës së krimit ekonomik pranë akuzës së kryeqytetit dhe katër oficerë të cilët punojnë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. "Po kështu në përbërje të grupit të hetimit do të jenë edhe oficerë të seksioneve të policisë gjyqësore pranë prokurorisë dhe oficerë të Ministrisë së Brendshme",-thuhet nga zyra e shtypit.
***
Grupi i ri hetimor, në fillim do të shqyrtojë dosjen, duke rishikuar provat materiale të mbledhura nga grupi i mëparshëm hetues, dëshmitë e tre të arrestuarve, dëshmitë e gjeneralëve dhe ushtarakëve të ndryshëm, dëshmitë e shumë punëtorëve si dhe dëshminë e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për të vërtetuar edhe njëherë pretendimet e ngritura nga grupi hetimor i Prokurorisë së Tiranës, të cilët hetuan çështjen për 14 ditë. Pas verifikimit të këtyre pretendimeve, sipas akuzës, do të formohet kërkesa e Prokurorisë së Përgjithshme drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të deputetit ish-ministrit Mediu. Ndërkohë, bëhet e ditur se nuk ka një vendim për ndarjen e dosjes, për t'i deleguar çështjen prokurorisë së Krimeve të Rënda për dyshimet e "trafikut të municioneve". Ndërkaq njoftohet se prokuroria nuk ka përjashtuar asnjë nga pistat e hetimit të deklaruara deri më tani, që nga vënia e qëllimshme e zjarrit e deri të trafiku i municioneve për zbardhjen e shpërthimeve të tmerrshme, më 15 mars në Gërdec.
PROKURËT:
Zamir Shtylla, drejtuesi
Kujtim Luli
Arqilea Koca
Alfred Progonati
Arben Dollapi
Sokol Stojani
OFICERËT
1. Arjan Muça, Drejtor i Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar në Ministrinë e Rendit.
2. Ardian Çipa, Shef i sektorit të trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
3. Perlat Vatoci, Oficer i Trafiqeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
4. Bledar Çeliku, Oficer i Sektorit Kundër Korrupsionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
5. Tefik Sulejmani, Oficer i Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Qarkut Tiranë.
6. Ermal Milori, Oficer i Policisë Gjyqësore ,seksioni I Prokurorisë Tiranë.
7. Arjan Muçaj, Oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë përKrimeve të Rënda .
8. Ibrahim Hoxha, Oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krime të Rënda.
9. Arben Frashëri, Oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë përKrime të Rënda.
10. Hamza Plaka, Oficer i policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krime të Rënda.