E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti 4-mujor, të ardhurat nga akciza 16.4 milionë dollarë më pak



Ervin Koçi

Kontrabanda me mallrat e akcizës, një nga fenomenet më të përhapura në doganat dhe në tregun vendas, ka bërë që në muajt e parë të vitit qeverisë t’i dështojnë planet në mbledhjen e të ardhurave. Më i prekshëm ky fenomen është tek cigaret të cilat kontrabandë mund t’i gjesh në çdo njësi të shitjes me pakicë, nëse je i interesuar t’i blesh. Madje për çudi, çmimet e shitjes së të njëjtës cigareje që është futur kontrabandë në vend janë më të larta se e njëjta markë që është me pullë fiskale, pasi nga ana e tregtarëve këto mallra vlerësohen si cilësorë. Ministria e Financave në publikimin e të dhënave të saj për 4-mujorin e parë të vitit 2008 bën të ditur se nga të ardhurat e mallrave të akcizës mungojnë rreth 16.4 milionë dollarë. Plani i vendosur nga ana e Ministrisë së Financave në buxhetin e këtij viti është realizuar vetëm 87.6 për qind për të ardhurat nga akcizat, duke qenë treguesi i vetëm në të ardhura që ka një realizim kaq të ulët. I vetmi zë ndër mallrat e akcizës që deri tani ka mbajtur disi të qëndrueshme bilancet e doganave dhe financave, kanë qenë hidrokarburet, të cilat, me gjithë çmimet e larta vazhdojnë të zhdoganohen në sasi optimale për tregun vendas.

Kafeja

Një ndër mallrat kryesorë të produkteve me akcizë është kafeja, e cila gjatë 4-mujorit të parë të vitit ka ardhur në rënie, përsa u përket zhdoganimeve. Kafeja e importuar më pak gjatë kësaj periudhe llogaritet me një rënie 7.4 për qind, krahasuar me vitin 2007.
Sipas raportit të bërë nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve gjatë 3 muajve të parë të vitit 2008 janë zhdoganuar 148 tonë më pak kafe se e njëjta periudhë e një viti më parë. Sipas të dhënave të bëra publike nga ana e Doganave Shqiptare, gjatë kësaj periudhe janë zhdoganuar 1848 tonë kafe nga 1996 tonë që ka qenë sasia e kafesë së zhdoganuar gjatë së njëjtës periudhë të një viti më parë.

Cigaret

Pavarësisht se në treg një pjesë e madhe e cigareve janë kontrabandë, doganat raportojnë se për pjesën e 3-mujorit të parë të vitit 2007 kanë zhdoganuar një sasi prej 257 tonë më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2007. Rritja në përqindje midis dy periudhave është 29 për qind. Por nga të dhënat që jep tregu i cigareve në vend, sërish një pjesë e madhe e tyre janë kontrabandë, duke vërtetuar faktin se këto produkte kalojnë traun e doganës pa paguar jo në pak raste.

Karburantet

Edhe importi i karburanteve ka pësuar një rënie gjatë pjesës së parë të këtij viti. Rënia në sasi të importit të karburantit është me 194 tonë, një sasi kjo në nivele jo shumë të larta krahasuar me një vit ma parë. Humbja në të ardhurat nga akciza është vlerësuar nga ana e opozitës si kontrabandë e pastër dhe një fenomen tepër i rrezikshëm në prag të një viti elektoral. Me rritjen e fortë të çmimeve të karburanteve dhe të një pjese të çmimeve të mallrave të akcizës edhe të ardhurat në buxhet nga këto taksa kanë pësuar rritje.

3 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›