Raporti Amnesty International. PS: Gërdeci simbol i krimit qeveritar
Partia Socialiste ka reaguar dje ndaj raportit Amnesty International, duke theksuar se raporti fakton përfshirjen e Kryeministrit në tragjedinë e Gërdecit. Kandidati për deputet në qarkun e Tiranës, Saimir Tahiri, duke komentuar raportin e fundit të Amnesty Internacional që u publikua dje, tha se Sali Berisha ka zgjedhur të heshtë dhe të mos të tregojë të vërtetën mbi shpërthimin që mori jetën e 26 të pafajshmëve.
Sipas Tahirit, në këtë raport Amnesty International, e cilëson tragjedinë e Gërdecit si simbol i nivelit të lartë të korrupsionit shtetëror dhe ngjarje kriminale në të cilën është shkelur haptazi e drejta e jetës. Ky raport është dëshmia e radhës se kjo qeveri është jo vetëm e dështuar por edhe simbol i korrupsionit të kthyer në sistem, - deklaroi Tahiri. Këtu ai lëshoi premtimin se korrupsioni shtetëror, nepotizmi, abuzimi me pushtetin dhe çdo fenomen abuziv e korruptim që ka karakterizuar mandatin qeverisës të Sali Berishës, do të marrin fund në datë 28 qershor. Çdo ditë po dalin në media fakte të reja për përfshirjen e Kryeministrit dhe familjes së tij në tragjedinë e Gërdecit. Sali Berisha ka zgjedhur të heshtë dhe të mos të tregojë të vërtetën mbi shpërthimin që mori jetën e 26 të pafajshmëve. Të njëjtat shqetësime janë bërë pjesë në mënyrë të përforcuar edhe në raporti e fundit të Amnesty Internacional që u publikua dje, përfundoi Tahiri.