E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti, Ban Ki Moon: I shqetësuar për situatën në veri

PRISHTINE- Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, edhe një herë ka ripërsëritur shqetësimin e tij dhe të misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, për situatën në veri. Në raportin preliminar për punën tremujore të UNMIK-ut që Ban Ki-Moon ua ka dorëzuar shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit, theksohet se situata në atë pjesë të Kosovës është e ndjeshme dhe se të gjitha problemet duhet të tejkalohen me mjete paqësore. Lajmi bëhet publik nga Koha Ditore.

“Në veri të Kosovës rritja e tensioneve mbetet shkak për shqetësim. Në këtë drejtim do të vazhdoj që të shpreh qëndrimin e vendosur se çështjet e ndjeshme që kanë të bëjnë me veriun e Kosovës mund të zgjidhen vetëm me mjete paqësore, në bazë të konsultimeve me të gjitha komunitetet në terren dhe jo përmes veprimeve të njëanshme. U bëj thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga veprimet, të cilat mund të pengojnë progresin e arritur në dialog dhe që nxisin tensione, sikurse edhe për të punuar bashkë për të mos lejuar përkeqësimin e mëtutjeshëm të situatës”, thuhet në raportin e Ban Ki-Moonit, që përfshin aktivitetet e UNMIK-ut dhe zhvillimet në Kosovë në periudhën prej 16 prillit deri më 15 korrik.

Në këtë raport nuk janë të përfshirë zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me pikat kufitare 1 dhe 31, në Jarinjë dhe Bërnjak, edhe pse kjo çështje ka qenë temë e konsultimeve në njërën prej takimeve të mbyllura të Këshillit të Sigurimit.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›