E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stefanoviç: Jo autonomisë për veriun e Kosovës

BEOGRAD- Serbia nuk dëshiron një autonomi për veriun e Kosovës, të paktën zyrtarisht. Zyrtarët serbë kanë përgënjeshtruar të jetë diskutuar ndonjëherë për autonominë e veriut të Kosovës. Shefi i delegacionit serb për bisedime, Borisllav Stefanoviç, ka theksuar se mund të bisedohet për çdo gjë në pajtueshmëri me Kushtetutën e Serbisë, “por këto janë thjesht ide që paraqiten nëpër media”.

“Kjo temë nuk është hapur asnjëherë, nuk kemi biseduar për këtë kurrë”, ka thënë Stefanoviç, duke shtuar se “Serbia pajtohet me temat dhe zgjidhjet duke respektuar kushtetutën që thotë se Kosova është pjesë e Serbisë”, citojnë mediat kosovare.

Zyrtarët serbë kanë thënë se nuk do të lejohen institucionet e Kosovës të futen në veri, por në vazhdimësi kanë mohuar synimin e ndarjes territorial. Ndërkaq opozita në Serbi ka kritikuar Qeverinë për paaftësi. Nënkryetari i demokratëve nacionalistë të ish-kryeministrit Vojisllav Koshtunica, Sllobodan Samaraxhiç, ka thënë se “Serbia i ka futur serbët në veri në një geto për shkak të interesave të pushtetit”.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›