E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodra nën pushtetin e ujit, Godo: Kuvendi të mblidhet urgjent, të vijë edhe opozita

 ADI SHKEMBIPolitikani i njohur, Sabri Godo thotë se përmbytjet në Shkodër detyrojnë Parlamentin të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme, ku të marrë pjesë edhe opozita. Në një intervistë për gazetën "Panorama" hartuesi i Kushtetutës, replikon me ish kreun e Kuvendit, Servet Pëllumbi për shpërndarjen e parlamentit. Si e vlerësoni situatën e përmbytjeve në Shkodër dhe në gjykimin tuaj si po menaxhohet ajo?Unë mendoj se janë bërë nga administrata përpjekje maksimale. çështja shtrohet që nga kjo që ndodhi të nxirret mësim dhe të merren masa për të ardhmen dhe ajo që duhet bërë është krejt e  qartë. Së pari të punohet për kullimin e ujërave, të funksionojnë kanalet dhe hidrovoret, të bëhen drenazhimet e duhura në mënyrë që të mos rrimë e të dëgjojmë për përmbytje sa herë që bien shira. Kjo është e domosdoshme. Veç kësaj është edhe mbajtja në një regjim rigoroz i kaskadave të lumit Drin. Në këtë pikë nuk më duket se ka vend t'i jepet mësim ndonjërit sepse gjithkush duhet të jetë i të njëjtit mendim. Unë besoj se qeveria ka arritur në këtë përfundim. çështja që mund të duhen investime serioze, por këto duhen marrë parasysh sepse dëmet që shkaktohen herë pas here janë më të mëdha se investimet që mund të bëhen. A ka përgjegjës për këtë situatë apo përmbytja erdhi vetëm për shkak të kushteve klimaterike?Kjo duhet t'i nënshtrohet një analize në nivel teknik. Unë jam kundër asaj që të flasë gjithkush. Unë përdor ndonjëherë termin 'të ruajtë zoti nga gjysmë budallai'. Dikush thotë pse e derdhe ujin dhe bëre korrupsion, pastaj të nesërmen thotë nuk e derdhe ujin dhe rrezikove përmbytjet. Kjo vjen nga dy gjëra nga ajo që thashë që merren me këtë punë njerëz jo kompetentë dhe e dyta sepse nuk është bërë me çdo rast transparencë e plotë dhe prandaj përsëritet ajo historia 'çfarë uji i dhe gomarit'. Duhet të heqim dorë nga këto situata diletanteske dhe që veç dëmtojnë dhe sjellin konfuzion. Qeveria duhet të bëjë një analizë të thellë dhe të përcaktojë një program se si do ta zgjidhim për një periudhë afatgjatë këtë problem me të cilin ndeshemi herë pas here. Kjo është e domosdoshme dhe mendoj që qeveria ka detyrim ta bëjë, duhet të jetë një program transparent, të dijë gjithkush çfarë do bëhet dhe kur do bëhet. Ish-kryeministri Majko propozoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. E quani me vend vendosjen e saj?Nuk më duket se ka vend. Kemi dëgjuar dhe njerëzit kompetentë të thonë se ajo që ishte më kërcënuese kaloi dhe në njëfarë mënyre situata do shkojë drejt përmirësimit, por kur dhe si këtë as metereologët nuk mund ta thonë saktësisht. Gjithsesi tani nuk më duket momenti të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, e cila i jep fuqi dhe arbitraritet. S'më duket se kemi kushte aq kritike, mund ta bëjmë edhe pa shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Kjo po provohet. A duhet të ketë një mbledhje të Parlamentit në seancë të jashtëzakonshme ku të marrë pjesë edhe opozita dhe të diskutohet për normalizimin e situatës në Shkodër?Në çdo vend Parlamenti do ishte mbledhur që ditën e tretë të përmbytjeve. Këtu kemi një parlament që funksionon përgjysmë, mund të ishte mbledhur edhe kështu siç ishte por nuk do nxirrte ndonjë dobi të madhe sepse ata që përfaqësohen në parlament janë në qeveri dhe nuk kanë ç't'i thonë njeri tjetrit. Duhej me domosdo që opozita të thoshte atje të gjitha ato që tenton t'i thotë në rrugë dhe nëpërmjet konferencave të shtypit duke e agravuar gjendjen edhe më tepër. Në këtë rast çdo popull vepron në mënyrë kompakte, të gjithë duhet të mendonin se si duhet të ndihmohet Shkodra. Të paktën kjo opozitë të kishte hyrë qoftë edhe përkohësisht në Parlament që të shfaqte atje mendimin e saj në mënyrë të qartë dhe bindëse. Tani duket se partitë po vihen në garë me njëra tjetrën se kush do mund të mbledhë më shumë para dhe ndihma. Kjo do të ishte me të vërtetë qesharake. Ish kryetari i Parlamentit, Servet Pëllumbi tha pak ditë më parë se pas 7 marsit Presidenti duhet të shpërndajë Kuvendin dhe të shpallë zgjedhjet e parakohshme...Mbeta pak i habitur që një propozim i tillë erdhi nga një person si profesor Pëllumbi, i cili e njeh Kushtetutën, e njeh Parlamentin dhe di si funksionojnë institucionet. çështja është që Presidenti nuk ka asnjë kompetencë të shpërndajë Kuvendin kur atje ekziston një maxhorancë, pavarësisht se sa vota ka ajo. Mjafton që të ketë një maxhorancë në Parlament dhe në këtë rast Presidenti është tërësisht jashtë loje. Nuk mund t'i kërkohet Presidentit të shpikë nene të Kushtetutës që nuk ekzistojnë. Nuk e di sesi do ta mbështesë më tej këtë ide të tij Servet Pëllumbi në rast se nuk heq dorë prej saj. çfarë ndodh sipas jush në 8 mars, një ditë pas kalimit të afatit 6 mujor brenda të cilit një deputet duhet të bëjë betimin?Juridikisht zëvendësimi i deputetëve është disi i mundshëm. Megjithatë Kushtetuta në raste të tilla ka parasysh një deputet ose dy, por jo gjysmën e Parlamentit. Nëse e interpretojmë në frymën e saj Kushtetutën nuk duhet të zbatohet një masë e tillë. Sidoqoftë mund të interpretohet ashtu, këta nuk erdhën në Parlament dhe duhet të vijnë ata që janë të dytët pas tyre. Kjo nuk duhet të ngjasë sepse do të ishte e pashembullt në historinë e parlamenteve dhe do të agravonte më tepër situatën. Berisha ose dikush tjetër mund të jetë në të drejtën e tij që të thotë se kjo ishte rruga ligjore dhe nuk ka alternativë tjetër, por sipas meje kjo duhet përjashtuar. Politikisht do krijohej një situatë e rëndë dhe e ndërlikuar. Nuk duhet të futet vendi në një rrugë të tillë. Duhet të palët të shtrohen në bisedime. Ditë më parë Meta tha se ky është një grip i stinës që do të kalojë. Mua mu duk një gjetje e bukur nga zoti Meta, por shenjat e para pas Vitit të Ri nuk flasin për një kalim të gripit. Nga disa deklarata mund të them që situata është bërë edhe më kërcënonjëse dhe kjo bëhet tamam kur jemi në mesin e përmbytjes. Cila është zgjidhja sipas jush kur kushtin më të fortë të opozitës, hapjen e kutive, maxhoranca nuk e plotëson?Le të ulen në bisedime dhe të bisedojnë edhe për kutitë po të duan, por asnjëra nga palët të mos vërë kushte paraprake sepse atëherë nuk ka bisedime. Atëherë kalojmë në gjuhën e ultimatumeve, secili mbetet i ngurosur në qëndrimin e tij, do të thotë që nuk ka dialog, nuk ka zgjidhje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›