Krasinqi: Pacolli i paligjshëm, të vendosë Kushtetuesja
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese do të duhet të japë interpretimin nëse Behxhet Pacolli është zgjedhur sipas procedurave kushtetuese e ligjore në postin e Presidentit. Ndërkaq, vetë presidenti Pacolli është shprehur i gatshëm t’i përgjigjet çdo kërkese nga Gjykata Kushtetuese, por edhe ka shprehur besimin se ai është zgjedhur në mënyrë të rregullt në këtë post. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të jetë përcaktues rreth çështjeve procedurale dhe rregullsisë së zgjedhjes së Presidentit të Kosovës. Nisur nga deklaratat e kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, dhe tri partive opozitare, çështja Pacolli duket të mos jetë ende e mbyllur. Kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se presidenti Pacolli është zgjedhur me 54 vota, pasi votat që janë dhënë pas pushimit gjatë tre raundeve të votimit, janë vota presioni. Krasniqi ka thënë se i ka dorëzuar detyrën presidentit Pacolli, pasi ndiente detyrim kushtetues. Kurse, qëndrimi i tij personal mbetet se për zgjedhjen e Pacollit fjalën duhet ta japë Gjykata Kushtetuese. I bindur se çështja mund të drejtohet te Gjykata Kushtetuese, presidenti Pacolli ka thënë të premten se do t’i përgjigjet pozitivisht çdo kërkese të kësaj Gjykate. Pacolli i ka kundërshtuar deklaratat e Jakup Krasniqit rreth votave në Kuvend, duke thënë se është zgjedhur President i vendit me 90 për qind të deputetëve të pranishëm atë ditë në sallë. Për herë të parë Behxhet Pacolli ka folur edhe për mesazhet telefonike që ai ka shkëmbyer në ditën kur u zgjodh President, me një nga këshilltarët e tij dhe ambasadorin amerikan në Prishtinë. Ai i ka cilësuar këto si mesazhe private. “Është një çështje private mes meje dhe këshilltarit tim. Janë SMS krejt private dhe për atë ekzistojnë këshilltarët”, është shprehur Pacolli. Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar sërish procedimin e kërkesës për Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar interpretimin në lidhje me zgjedhjen e Pacollit president. Deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se kjo kërkesë mund të jetë gati për procedim qysh javën e ardhshme. “Grupi punues është duke punuar në të dhe me kohë do ta procedojmë, do të thotë grupi i ekspertëve, dhe kjo besoj se do të jetë gati javën tjetër”, ka theksuar Beqiri. Kjo mund të jetë hera e dytë që Gjykata Kushtetuese të jetë vendimtare në çështjen e postit të Presidentit të Kosovës. Në vjeshtën e vitit të kaluar kjo Gjykatë pati interpretuar shkelje të Kushtetutës mbajtjen e dy posteve nga ana e ish-presidentit Fatmir Sejdiu, çka ndikoi që Sejdiu të jepte dorëheqje.