E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti, Islami: Nuk ka argumenta që justifikojnë bojkotin

Një ditë pas publikimit të raportit të OSBE/ODIHR, sekretari për cështjet zgjedhore në PS, Kastriot Islami theksoi se në raport nuk ka argumenta të mjaftueshëm për të justifikuar bojkotin e Partisë Socialiste në Kuvend. 

TIRANE- “Në raport nuk ka argumenta të mjaftueshëm për të justifikuar bojkotin e PS në Kuvend”, kështu ka deklaruar sekretari për cështjet zgjedhore në PS, Kastriot Islami, një dite pas publikimit të raportit të ndërkombëtarëve.
"Ka dy mesazhe të rëndësishme në këtë raport", theksoi sot deputeti Islami, duke shpjeguar se "i pari ka të bëjë me faktin se nuk janë arritur standardet e zgjedhjeve në Shqipëri, një vend anëtar i NATO-s dhe që po shkon drejt BE-së ndaj është e nevojshme që këto standarde të arrihen në zgjedhjet e ardhshme".
Islami e ka vlerësuar raportin e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 28 qershorit si një raport realist, objektiv dhe të balancuar, duke nënvizuar se në të nuk ka bazë dhe elementë që të justifikojnë bojkotin e Kuvendit nga ana e opozitës.
Islami së bashku me një grup deputetësh të PS-së, si Ben Blushi, Arben Malaj, Andis Harasani, etj, kanë dalë kundër vendimit politik të PS-së për bojkot të grupit parlamentar të kësaj force në Kuvend. Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, i publikuar dje, theksoi se "zgjedhjet shënuan progres por ende nuk u arritën standardet e kërkuara, ndërsa u evidentuan edhe një sërë problemesh të lidhura me procesin zgjedhor. (e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›