“Profida” e Mira Meksit botohet në Francë
“Profida, një ballo në Versajë”, romani i shkrimtares Mira Meksi, botohet në Francë nga njëra prej shtëpive botuese jo pak të njohura, aty, siç është “Editions Baudelaire”. I botuar në versionin shqip nga botimet “Ideart”, romani i përkthyeses së njohur shqiptare ka zgjuar interesin e shtëpisë botuese franceze, e cila e ka matur edhe suksesin që ky roman ka pasur në shtëpi.
Një këndvështrim i ndryshëm i kohës së diktaturës, ku ka dritë jeshile në fund të tunelit, nuk ka qenë pa peshë në motivimet e botimit të këtij romani. Romani është përkthyer në frëngjisht nga Alketa Spahiu, por që i parë tërësisht nga autorja, ka vlerën autentike të origjinalit shqip. Kjo vepër ka njohur në të kaluarën botime, ribotime, por edhe polemika në shtypin shqiptar.
Mira Meksi përshkruan në sfond historik absurditetin e diktaturës dhe qëndresën ndaj çdo lloj tjetërsimi, në sajë të kulturës dhe përvetësimit të shkrimeve kabalistike. Më 1995-n, Meksi ka fituar çmimin e Radio France International mbi tregimin e pabotuar në kuadrin e frankofonisë, me tregimin “Gërshërët”. E njëjta autore është edhe fituese e çmimit të festivalit të Saint Quentin më 1998-n, Francë. Më vitin 1996 botohet në Francë Antologjia e tregimit të shkurtër ku përfshihet edhe krijimtaria e Mira Meksit. Pra, autorja duket se ka një lidhje të fortë me kulturën frankofone si dhe vlerësimin e botuesve të atjeshëm.
15 Shtator 2009