Simpoziumi, 200 vjet nga vizita e Lord Bajronit
Petrika GROSI
Nesër paradite, në Hotel Tirana International do të mbahet simpoziumi i parë ndërkombëtar kushtuar figurës së Lord Bajronit dhe udhëtimit të tij në trojet shqiptare. Ky aktivitet që organizohet nga Shoqata Shqiptare e Bajronit dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve vjen në 200 vjetorin e vizitës së poetit të shquar në Shqipëri. Të pranishëm në këtë simpozium, siç tregon profesor Afrim Karagjozi, janë studiues të ndryshëm, vendës e të huaj, të veprës dhe figurës së Bajronit. Gjithashtu, nuk do të mungojnë dhe letrarët, poetët e poeteshat shqiptare të cilët do të mbajnë fjalën e tyre në këtë eveniment që bëhet për të nderuar dhe kujtuar Lordin Bajron, i cili e bëri Shqipërinë dhe Ali Pashë Tepelenën edhe më të njohur në atë kohë. Siç dihet, vizita në Shqipëri i la mbresa të thella Bajronit. Te shqiptarët ai pa një shpirt të veçantë që i ndezi imagjinatën e tij poetike për tema ekzotike. Në shënimet e mbajtura gjatë kohës kur Bajroni ishte në Shqipëri, për poemën “Shtegtimi i Çajld Haroldit”, mes të tjerash shkruhej: “Më tërheqin shumë me atë ngjashmërinë e tyre me Hajlanderët e Skocisë, në veshje, në pamje dhe në mënyrën e jetesës. Malet e tyre të shumta ngjajnë me Kaledoninë dhe kanë një klimë të këndshme. Fustanellat e tyre të bardha, veprimet energjike që kryejnë dhe dialekti i tyre, që përngjan me tingujt keltikë, janë mbresëlënëse.” Gjithashtu, Bajroni shprehet: “I dua shumë shqiptarët. Nuk janë të gjithë myslimanë, disa nga fiset janë të krishterë Kurrë s’do ta harroj pamjen e mrekullueshme me të hyrë në Tepelenë në orën 5 ndajnatherë, kur po perëndonte dielli. Më solli në mend (me pak ndryshime të veshjes) përshkrimin që i bën Skoti kështjellës Brankseme në këngën e tij dhe sistemin feudal. Shqiptarët me petkun e tyre (me më të bukurin në botë; me fustanellë të gjatë të bardhë, tallagane të qëndisura me ar me anteri e jelek kadifeje të kuqe, të qëndisura me ojna të arta), me jataganë e pisqollë të sermët, tartarët me feste të gjata, turqit me qyrk të madh e turban, ushtarët togje-togje në qoshkun e madh, të hapur në ballë të pallatit dhe skllevërit arabë në galerinë e madhe, të gjatë, me kuaj të vendosur në një qilar përposhtë, dyqind atllarë të shaluar dhe gati të sulen në çdo moment, kalorës duke sjellë e duke shpënë lajmet e ndryshme, daullet e muezinët që thërrasin ezanin nga minaretë e xhamive - të gjitha këto me pamjen e jashtëzakonshme të ndërtesës vetë, sajonin një skenë të re gëzimi për sytë e një të huaji.” Vizita e Bajronit në viset e “egra” dhe të panjohura të Ballkanit, i ka joshur gjithmonë të huajt të mësojnë më tepër mbi vendin tonë, sidomos përshkrimet e tij, kanë bërë që vëmendja ndaj shqiptarëve të rikthehet herë pas here. Nuk ishte e rastësishme ardhja e aktorit të njohur Rupert Everet në Shqipëri, i cili xhiroi para pak kohësh një film mbi vizitën e Lord Bajronit në vendin tonë. I njëjti udhëtim ka frymëzuar edhe autoren holandeze Tessa de Loo, që të bëjë itenerarin e kryer dikur nga Bajroni dhe më pas të botojë një libër me shënimet e saj, “Miq tek Ali Pasha”, promovimi i të cilit do të mbahet këtë të enjte në hotel “Mondial”, nga shtëpia botuese “Skanderbeg books” dhe Ambasada e Mbetërisë së Hollandës.
15 Shtator 2009